Advertisement

Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar monitorimin në akset urbane dhe interurbane, me kontrolle 24/7 dhe përdorim të pajisjeve bashkëkohore, me fokus garantimin e sigurisë rrugore dhe disiplinimin e qarkullimit.

Gjatë planeve të posaçme të masave të zhvilluara javën e kaluar dhe gjatë fundjavës, në fokus kanë qenë drejtuesit e mjeteve që drejtojnë nën efektin e alkoolit, përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, si dhe ata që nuk vendosin rripin e sigurimit apo kaskën mbrojtëse.

Reklame

Si rezultat i monitorimit, 32 shtetas janë arrestuar ose proceduar penalisht, ndërsa 48 mjete janë bllokuar.

Në total janë vendosur 13 522 masa administrative, ndër të cilat:

  • 8818 masa për ndalim dhe qëndrim të gabuar;
  • 1243 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
  • 602 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
  • 487 masa për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit;
  • 66 masa për kalim të gabuar në karrexhatën e ngadalësimit;
  • 26 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Kontrolle edhe ndaj autobusëve dhe mjeteve të transportit të nxënësve

Policia Rrugore ka vijuar gjithashtu verifikimet dhe kontrollet e përditshme ndaj mjeteve të transportit publik dhe atyre që transportojnë nxënës.

Sipas Policisë, kontrollet synojnë parandalimin dhe evidentimin në kohë të shkeljeve që mund të cenojnë sigurinë e pasagjerëve.

Një tjetër fokus ka qenë monitorimi në terren dhe në hapësirën digjitale i rasteve të bllokimit të qarkullimit në autostrada dhe akse me fluks të lartë lëvizjeje.

Procedohen 3 persona pas videos në autostradën Tiranë-Durrës

Në kuadër të këtyre kontrolleve, Policia ka ndërhyrë edhe pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje nga autostrada Tiranë-Durrës, ku shfaqej një sjellje që pengonte qarkullimin.

Tre prej personave të shfaqur në pamje janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Gjithashtu, janë sekuestruar automjetet që ata drejtonin dhe janë vendosur masat administrative përkatëse, sipas Kodit Rrugor.

Policia njofton se veprimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që dyshohet se kanë marrë pjesë në këtë sjellje, e cila shkaktoi bllokim dhe kaos në qarkullim.

Kontrollet do të vijojnë

Policia Rrugore e Tiranës deklaron se monitorimi dhe kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane dhe interurbane.

Në mënyrë të veçantë do të vijojnë kontrollet ndaj mjeteve që transportojnë nxënës dhe autobusëve urbanë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe evidentimin e shkeljeve.

Policia u bën apel të gjithë përdoruesve të rrugës që të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Për çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, qytetarët mund të telefonojnë pa pagesë në numrin 112.

Lexo edhe

Skandali/ Policia rrugore shoqëron kamionët e “Alesio-2014” në orarin e ndalimit të qarkullimit

Tiranë/ Policia Rrugore me “dorë të hekurt”, 7 arrestime dhe 6819 gjoba në 72 orë

Reklame