Advertisement

Thirrja e Sali Berishës për pjesëmarrje masive në protestën kombëtare të së enjtes, 8 tetor, duket se ka vënë në lëvizje strukturat e Policisë së Shtetit.

Kreu i Partisë Demokratike u ka bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që të marrin pjesë në protestën që do të zhvillohet në orën 10:00 para Parlamentit, kundër Reformës Territoriale. Berisha ka kërkuar që tubimi të ketë karakter qytetar dhe të zhvillohet pa flamuj apo simbole partiake.

Reklame

Sipas burimeve brenda Policisë së Shtetit, në strukturat drejtuese të komisariateve është dhënë udhëzim që, në kuadër të masave për protestën, të evidentohen persona që konsiderohen problematikë dhe që mund të shkaktojnë incidente gjatë tubimit.

Burimet bëjnë me dije se strukturave të Policisë u është kërkuar gjithashtu të mbledhin informacion paraprak në lidhje me mundësinë e përshkallëzimit të protestës, konkretisht nëse mund të ketë përplasje, akte dhune apo përdorim të mjeteve piroteknike.

Në fokus të monitorimit, sipas të njëjtave burime, janë edhe informacionet që mund të sinjalizojnë përgatitje për incidente gjatë protestës apo tentativa për të futur materiale të ndaluara në zonën ku do të zhvillohet tubimi.

Protesta zhvillohet në ditën e votimit të Reformës Territoriale

Protesta e së enjtes përkon me zhvillimin e seancës parlamentare ku pritet të diskutohet dhe të votohet Reforma Territoriale.

Berisha ka deklaruar se protesta do të jetë një tubim kombëtar dhe qytetar, duke u bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve të bashkohen para Kuvendit në orën 10:00. Ai ka kërkuar gjithashtu që mbështetësit nga rrethet të mbërrijnë në Tiranë një ditë më herët.

Sipas deklarimeve të Berishës, protesta synon kundërshtimin e reformës së re administrative, e cila parashikon ndryshime në hartën e bashkive.

Për momentin, informacioni mbi udhëzimet e brendshme të Policisë mbetet i pakonfirmuar zyrtarisht. Masat konkrete të sigurisë për protestën pritet të bëhen të dukshme gjatë ditës së nesërme, ndërsa Policia do të jetë përgjegjëse për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit.

Lexo edhe

Protesta po kthehet në “gjueti njerëzish”/ Nuk rrezohet qeveria duke shtyrë Manen. Po korrim atë që kemi mbjellë

Shkrirja e 15 bashkive/ Berisha thirrje për protestë para Kuvendit

Reklame