Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit Shqipëri-San Marino, e cila do të zhvillohet sot në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.

Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv dhe lehtësimin e qarkullimit në Tiranë, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, do të ketë kufizime të qarkullimit në disa akse pranë stadiumit. Masat do të zbatohen nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës.

Reklame

Këto janë rrugët që do të bllokohen

  • Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;
  • Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
  • Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
  • Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
  • Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
  • Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
  • Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, e cila do të shërbejë si koridor hyrjeje vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja;
  • Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Gjithashtu, te sheshi “Willson”, lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.

Ndërkohë, Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të hapura për qarkullimin e mjeteve.

Kontrolle të rrepta për tifozët

Policia njofton se para hyrjes në stadium do të kryhen kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të rrezikshme.

Në stadium nuk do të lejohet futja e banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, si dhe sendeve të tjera të forta apo të rrezikshme për sigurinë e pjesëmarrësve.

Policia u ka bërë thirrje tifozëve që të paraqiten në hyrjet e stadiumit duke filluar nga ora 18:30, pasi fluksi i madh i sportdashësve mund të krijojë vonesa dhe të bëjë që disa prej tyre të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium para fillimit të ndeshjes.

Qindra policë në terren

Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë aktivitetit sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie.

Efektivët do të monitorojnë situatën para, gjatë dhe pas ndeshjes, ndërsa do t’u ofrojnë tifozëve edhe ndihmë dhe informacion në rast nevoje.

Policia apelon për mirëkuptimin e qytetarëve dhe tifozëve, si dhe për respektimin e udhëzimeve të efektivëve, me qëllim që ndeshja Shqipëri-San Marino të zhvillohet pa incidente dhe me sa më pak ndikim në qarkullimin e Tiranës.

Lexo edhe

O hajdut! Pirro Vengu përballet me protestën para Kuvendit

Protesta edhe në stadium, tifozët hapin parulla: Shqipëria nuk shitet!

Reklame