Advertisement

Përplasja për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës ka marrë një zhvillim të ri, me dy ngjarje që kanë tërhequr vëmendjen brenda së njëjtës ditë.

Biznesmeni Behgjet Pacolli deklaroi se Gjykata e Apelit të Tiranës i ka dhënë të drejtë kompanisë së tij MABCO, duke rrëzuar, sipas tij, një vendim që kishte bllokuar hyrjen në terminal dhe vijimin e punimeve. Në të njëjtën kohë, ish-administratori i aeroportit dhe ish-bashkëpunëtori i Pacollit, Valon Lluka, është ndaluar në Kosovë për 48 orë me urdhër të Prokurorisë së Shtetit

Reklame

Në një reagim në rrjetet sociale, Pacolli e cilësoi vendimin e Apelit si një “fitore të radhës” për MABCO-n.

Sipas tij, vendimi ka rrëzuar masën që kishte sjellë bllokimin e hyrjes në terminal, duke penguar përfundimin e punimeve dhe certifikimin e aeroportit.

Pacolli pretendon gjithashtu se vendimet e mëparshme gjyqësore kanë shkaktuar dëme dhe kosto të konsiderueshme për kompaninë dhe kërkon që personat që, sipas tij, kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme të përballen me përgjegjësi.

Ai thekson se objektivi i MABCO-s mbetet përfundimi i aeroportit dhe vënia e tij në operim.

Konflikti rreth aeroportit tashmë është zhvendosur edhe në arbitrazh ndërkombëtar.

Pacolli shprehet se ndërhyrja e arbitrit emergjent ndërkombëtar ka sjellë masa për ruajtjen e status quo-së, të cilat, sipas tij, kufizojnë veprime të caktuara dhe krijojnë pasiguri për vijimin e projektit.

Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e ka interpretuar ndryshe situatën. Sipas qëndrimit të ministrisë, arbitri emergjent ka rrëzuar dy nga tri kërkesat e palës investitore, ndërsa masa e dhënë lidhet me ruajtjen e përkohshme dhe të kufizuar të status quo-së.

Më herët, ministria kishte nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare, duke argumentuar se nuk ishin respektuar afatet për përfundimin e punimeve. Konflikti mes ortakëve të shoqërisë që administron aeroportin kishte ndikuar edhe në vijimin e projektit.

Në një zhvillim paralel, Valon Lluka, ish-administrator i “Vlora International Airport”, është ndaluar për 48 orë nga autoritetet në Kosovë.

Sipas Prokurorisë së Shtetit, ndaj tij janë ngritur dyshime për veprat penale “mashtrimi”, “shpërdorimi i pasurisë së huaj”, “keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” dhe “lidhja e kontratës së dëmshme”. Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet vijojnë dhe se brenda afatit ligjor do të shqyrtohet mundësia për caktimin e një mase sigurie.

Lluka ka qenë për vite pjesë e strukturave të biznesit të lidhura me Pacollin dhe ka drejtuar shoqërinë koncesionare të Aeroportit të Vlorës deri në vitin 2025. Përplasja mes palëve u bë publike pas konfliktit rreth administrimit dhe aksioneve të kompanisë.

Në këtë fazë, dy palët vijojnë të kenë qëndrime të ndryshme për të ardhmen e projektit.

Pacolli kërkon vijimin e punimeve dhe përfundimin e aeroportit, ndërsa qeveria shqiptare ka mbajtur qëndrimin se kontrata koncesionare është zgjidhur.

Përplasja pritet të marrë një tjetër drejtim në arbitrazhin ndërkombëtar, ku do të shqyrtohen në themel pretendimet dhe qëndrimet e palëve.

Ndërkohë, zhvillimet e reja gjyqësore në Shqipëri dhe ndalimi i Valon Llukës në Kosovë e rikthejnë edhe një herë Aeroportin e Vlorës në qendër të një beteje të ndërlikuar ligjore dhe biznesi.

Lexo edhe

Berisha për aeroportin e Vlorës: “Prishja e kontratës me Pacollin e nxjerr Ramën dhe Ballukun lakuriq”

Behgjet Pacolli padit Ramën në Arbitrazh: Po na merr aeroportin e Vlorës për t’ia dhënë Ron Yeffet

Reklame