Advertisement

Pesë gra të dënuara në dosjen e grupit të Bruno Çobos i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesë për pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim. Kërkesat janë depozituar pas vendimit të Apelit të Posaçëm, i cili ka lënë në fuqi dënimet ndaj tyre.

Bëhet fjalë për Elisa Çaçin, e dënuar me 7 vite e 4 muaj burg, si dhe Rezarta Ibrahimin, Greta Pepën, Antoneta Malon dhe Silvana Veliun, të dënuara secila me nga 6 vite e 8 muaj burg.

Reklame

Në kërkesat drejtuar Gjykatës së Posaçme, pesë të dënuarat kërkojnë pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke iu referuar, ndër të tjera, faktit se kanë fëmijë të mitur dhe kushteve të tyre familjare.

Në dosjen e grupit të Bruno Çobos janë gjashtë gra. Sipas të dhënave të bëra publike, vendimi është ekzekutuar për katër prej tyre, ndërsa dy vijojnë të jenë në kërkim.

Mes personave të shpallur në kërkim është edhe Antoneta Malo, ndërsa në kërkim ndodhet edhe Valbona Abedinaj.

Tashmë pritet vendimmarrja e Gjykatës së Posaçme për kërkesat e pesë të dënuarave.

Si funksiononte skema e mashtrimit

Grupi i drejtuar nga Bruno Çobo u hetua për një skemë mashtrimi kompjuterik përmes Call Center-ave, ku objektiv ishin kryesisht qytetarë italianë.

Sipas hetimeve, viktimat kontaktoheshin në telefon dhe bindeshin të investonin online në aksione të kompanive të njohura, mes tyre edhe “Amazon”, me premtimin për fitime të shpejta.

Pasi personat pranonin të investonin, ata merrnin një email me një link dhe udhëzoheshin të instalonin në kompjuter aplikacionin “AnyDesk”.

Sipas hetimeve, përmes këtij aplikacioni personat që qëndronin pas skemës mund të merrnin akses në kompjuterët e viktimave dhe të siguronin të dhëna që lidhen me llogaritë bankare.

Më pas viktimave u kërkoheshin edhe pagesa të tjera, të paraqitura si komisione bankare për tërheqjen e fitimeve të pretenduara.

Hetimi nisi fillimisht nga autoritetet italiane në vitin 2020, pas kallëzimit të një qytetari italian, i cili deklaroi se ishte mashtruar dhe kishte investuar rreth 700 mijë euro.

Më pas çështja u hetua edhe nga autoritetet shqiptare, ndërsa SPAK regjistroi procedimin penal në vitin 2021.

Në janar 2024, SPAK dërgoi për gjykim dosjen ndaj Bruno Çobos dhe 16 personave të tjerë. Çobo akuzohej si krijues dhe drejtues i grupit, ndërsa personat e tjerë për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe mashtrim kompjuterik.

Bruno Çobo ishte arrestuar në Dubai dhe më 13 mars 2024 u ekstradua drejt Shqipërisë.

Sipas të dhënave të bëra publike gjatë procesit gjyqësor, grupi dyshohet se ka përfituar rreth 4.7 milionë euro nga skema e mashtrimit.

Në tetor 2025, Gjykata e Posaçme dënoi 16 të pandehurit, ndërsa në tetor 2026 Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimet.

Bruno Çobo u dënua me 8 vite burg, ndërsa për të dënuarit e tjerë dënimet variojnë nga 6 vite e 8 muaj deri në 7 vite e 4 muaj burgim.

Lexo edhe

3 vite nga 7 tetori. Rama kujton viktimat e sulmit të Hamasit: Për familjet, ai mëngjes nuk ka përfunduar kurrë

Konflikti për një vajzë përfundon me dhunë.19-vjeçari polic goditet me shkop bejsbolli, 2 vëllezërit në kërkim

Reklame