Advertisement

Bashkia e Tiranës ka njoftuar rihapjen e procedurave për Fondin e Komunitetit, duke u bërë thirrje banorëve të aplikojnë për financimin e ndërhyrjeve në pallatet e tyre. Risia e këtij viti është përfshirja e zëvendësimit të depozitave individuale të ujit në katet e sipërme me një depozitë të përbashkët për të gjithë pallatin.

Sipas Bashkisë, për këtë ndërhyrje do të rimbursohet 50% e kostos për banorët, ndërsa për pensionistët dhe familjet në nevojë parashikohet mbulimi i 100% të shpenzimeve.

Reklame

Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve ndaj Qytetarit në Bashkinë e Tiranës, Dritan Dango, zhvilloi takime me administratorë pallatesh, ku prezantoi mundësitë e financimit përmes këtij programi.

“Fondi i komunitetit është një ndër programet më të kërkuara në Bashkinë e Tiranës”, deklaroi Dango, duke përmendur ndërhyrjet për vendosjen e ashensorëve dhe mbështetjen për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike.

Çfarë financohet nga Fondi i Komunitetit?

Programi mbështet investimet në hapësirat dhe strukturat e përbashkëta të pallateve, duke përfshirë:

  • Instalimin e ashensorëve;
  • Izolimin e tarracave;
  • Termoizolimin e fasadave me sistem kapot;
  • Zëvendësimin e depozitave individuale të ujit me një depozitë të përbashkët për pallatin.

Për këto ndërhyrje, Bashkia parashikon rimbursimin e 50% të kostos së përcaktuar, ndërsa pensionistët dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike mund të përfitojnë mbulim të plotë të kostos, sipas skemës së programit.

Bashkia e Tiranës u bën thirrje banorëve që kanë nevojë për investime të tilla të riaplikojnë, për të përfituar nga fondi dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës në pallatet e tyre.

 

Lexo edhe

Lana nuk është kosh mbeturinash. Bashkia e Tiranës paralajmëron gjoba për ndotësit

Territorialja kalon me 85 vota/ Shkrihen 15 prej tyre, nga 61 tashmë vendi ka 46 bashki

Reklame