14 persona janë vënë nën masa sigurie në kuadër të operacionit policor “Transaksioni 2” në Fier, nën dyshimin për ushtrim të veprimtarive financiare pa licencë. Mes tyre, 11 persona janë vendosur në “arrest në shtëpi”, ndërsa për tre shtetase janë caktuar masat “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë, në zbatim të vendimit të gjykatës.
Gjatë kontrolleve në banesat dhe njësitë tregtare të personave nën hetim, policia sekuestroi shuma të konsiderueshme parash në disa monedha të huaja dhe në lekë.
Paratë e sekuestruara:
- 4 461 000 lekë;
- 92 390 euro;
- 8 215 paund;
- 19 022 dollarë;
- 220 franga.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej personave ndaj të cilëve u ekzekutua masa “Arrest në shtëpi”, u gjetën dhe u sekuestruan një pistoletë sportive, dy mjete prerëse dhe një fishek. Për këtë shtetas nisi një procedim penal edhe për këto sende të gjetura gjatë kontrollit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar financiare.
Personat e përfshirë në hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.













