Dy raste të prerjes dhe transportit të paligjshëm të lëndës drusore janë zbuluar nga strukturat e Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) në Kukës dhe Dibër.
Në zonën e njohur si stanet e Lusnës, Drejtoria Rajonale e IKMT-së Kukës bllokoi 5 metra kub dru zjarri, të transportuar pa dokumentacionin përkatës. Sipas njoftimit, personat e dyshuar u shoqëruan nga policia, ndërsa lënda drusore u konfiskua.
Drutë iu vunë në dispozicion Njësisë Administrative Ujmisht, me qëllim përdorimin për ngrohjen e shkollës dhe të qendrës së fshatit.
Ndërkohë, në aksin rrugor Linos–Guri i Bardhë–Martanesh, strukturat e IKMT-së Dibër bllokuan një automjet të ngarkuar me lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës.
Për këtë rast, ndaj subjektit u morën masa administrative, përfshirë gjobën dhe bllokimin e lëndës drusore.
IKMT bën të ditur se rastet u konstatuan gjatë monitorimeve në terren, në kuadër të kontrolleve për parandalimin e prerjes dhe transportit të paligjshëm të pyjeve.

Lexo edhe
Digjnin goma dhe plastikë/ IKMT shemb 3 furra gëlqereje në Krujë
Gazetari u kërcënua pasi denoncoi aferat Ballukut, policia merr në pyetje vëllain e Igli Tares!














