Kryeministri Edi Rama ka kujtuar trevjetorin e sulmeve terroriste të 7 Tetorit në Izrael, duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe të mbijetuarit.
Përmes një reagimi në platformën X, Rama shkruan se tre vite pas sulmeve, dhimbja vazhdon të jetë e pranishme për familjet që humbën të dashurit e tyre.
“Kanë kaluar tre vjet nga tmerri i 7 tetorit. Por të gjithë duhet ta kuptojmë se, për familjet, të dashurit e të cilave u vranë nga kasapët e Hamasit, për ata, jeta e të cilëve u copëtua, dhe për të mbijetuarit që mbartin plagë që asnjë sy nuk mund t’i shohë, ai mëngjes nuk ka përfunduar kurrë vërtet”, shkruan Rama.
Kryeministri kujton edhe vizitën e tij në Nova, vendin ku u zhvillua festivali muzikor më 7 tetor 2023 dhe ku humbën jetën shumë prej pjesëmarrësve të festivalit.
“Në fillim të këtij viti, isha në Nova. Ka vende ku heshtja flet më fort se fjalët, dhe Nova është një prej tyre. Të rinj nga shumë vende ishin mbledhur aty për të kërcyer, për të qeshur, për të festuar jetën, dhe errësira e urrejtjes dhe e terrorit ua rrëmbeu jetën”, shprehet ai.
Rama e lidh mesazhin e tij edhe me një prej vlerave që, sipas tij, përfaqëson Shqipëria: Besën.
“Në Shqipëri, kemi një fjalë që mbart një kod të tërë moral: Besa. Një premtim që nuk mund të thyhet”, shkruan kryeministri.
Ai përmend gjithashtu historinë e shqiptarëve gjatë Holokaustit, duke kujtuar familjet që strehuan hebrenj të rrezikuar nga përndjekja naziste.
Sipas Ramës, kjo trashëgimi historike kërkon që kujtesa të ruhet dhe antisemitizmi të mos tolerohet.
“Trashëgimia kërkon që kujtesa të mos i dorëzohet kurrë indiferencës, që pikëllimi të mos lihet kurrë në vetmi, që antisemitizmi të mos lejohet më kurrë të fshihet pas heshtjes, sloganeve apo justifikimeve”, shprehet ai.
Në fund të mesazhit, Rama iu drejtohet familjeve që vazhdojnë të mbajnë zi, duke u shprehur: “Qoftë kujtimi i të dashurve tuaj një bekim i përjetshëm”.
Lexo edhe
“Prania Besnike”.Buxheti 2027 shkon në 10 miliardë, Rama: Do të rishpërndajmë më shumë














