Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër pas miratimit të reformës territoriale në Kuvend, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe 85 deputetët që votuan pro se po veprojnë kundër interesave të qytetarëve shqiptarë.
Në një deklaratë të gjatë, Blushi e cilëson votimin si një akt me pasoja të rënda politike dhe kombëtare, duke kundërshtuar shkrirjen e 15 bashkive dhe duke pretenduar se vendimi do të thellojë shpopullimin e vendit.
“Rama dhe 85 llum-deputetët duhet të paguajnë një për një çmimin e tradhtisë! Vetëm përshkallëzimi i revoltës ndal shpopullimin e Shqipërisë”, deklaron Blushi.
Ai e ka cilësuar ditën e votimit si “një ditë të zezë për Shqipërinë”, ndërsa ka akuzuar mazhorancën se ka shpërfillur interesat e komuniteteve vendore dhe vullnetin e qytetarëve.
Blushi ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, u përballën autoritetet me kundërshtimin e reformës, duke përmendur gazin lotsjellës, shkopinjtë e gomës dhe dhunën gjatë protestave.
Thirrje për protesta dhe mobilizim qytetar
Deputeti i Partisë së Lirisë u ka bërë thirrje qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, të bashkohen në një front kundër reformës territoriale. Ai kërkon protesta masive, rezistencë qytetare dhe përshkallëzim të protestave paqësore në qytete dhe institucione.
“Nuk është koha për demoralizim, por për riorganizim. Nuk është koha për dorëzim, por për qëndresë. Nuk është koha për heshtje, por për revoltë mbarëkombëtare”, shprehet Blushi.
Në deklaratën e tij, ai u është drejtuar edhe socialistëve, duke i ftuar të shkëputen nga drejtimi aktual i Partisë Socialiste dhe t’u bashkohen qytetarëve që kundërshtojnë reformën.
Në përfundim, Blushi këmbëngul se vendimi duhet të kundërshtohet deri në fund dhe se përgjegjësit politikë duhet të japin llogari para qytetarëve për votën e tyre.
Reagimi i tij vjen pas miratimit në Kuvend të reformës së re territoriale, e cila parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Lexo edhe
Patriot ose tradhtar. Tedi Blushi: Sot do të mbahet shënim çdo votë, historia do t’ju gjykojë














