Advertisement

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka deklaruar se deputetët socialistë duhet të votojnë pro reformës së re administrativo-territoriale, pavarësisht qëndrimeve kundër të deputetëve Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar, Balla tha se është marrë një vendim politik për votën pro të projektligjit, i cili parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 njësive vendore.

Reklame

“Vendimi politik i grupit parlamentar është që, sapo të përmbyllet në Komisionin e Ligjeve, ky projektligj të kalojë për votim në seancë plenare”, deklaroi Balla.

Ai tha se deputetët mund të kenë mendime dhe shqetësime të ndryshme gjatë diskutimeve, por sipas tij, një gjë është qëndrimi personal dhe tjetër është detyrimi për të respektuar vendimin politik të grupit.

BRAÇE DHE SINAJ KUNDËR DRAFTIT

Dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, kanë votuar kundër draftit brenda mbledhjes së grupit parlamentar.

Sinaj ka shprehur kundërshtimin e tij veçanërisht për bashkimin e Selenicës me Vlorën, ndërsa Braçe ka shfaqur rezerva ndaj hartës së re territoriale.

I pyetur nëse do të ketë masa ndaj deputetëve që mund të votojnë kundër në seancën plenare, Balla u përgjigj shkurt:

“Lexoni rregulloren e grupit.”

“A I KENI 84 VOTAT?”

Një nga pyetjet kryesore drejtuar Ballës ishte nëse Partia Socialiste i ka 84 votat e nevojshme për miratimin e reformës territoriale.

Balla nuk dha një numër konkret, por e lidhi miratimin e reformës me rëndësinë që, sipas tij, ka procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Reforma territoriale nuk është një reformë e lehtë, është një reformë e vështirë”, tha Balla, duke argumentuar se Shqipërisë i duhen bashki më të forta për të garantuar shërbime më të mira dhe për të qenë më konkurruese në përfitimin e projekteve europiane.

Për miratimin e hartës së re territoriale nevojiten 84 vota në Kuvend. Votimi është parashikuar për seancën plenare të 8 tetorit.

Balla tha gjithashtu se reforma është një vendimmarrje e vështirë, pasi prek interesa lokale, por e konsideroi atë të nevojshme në funksion të forcimit të bashkive.

“Na duhen bashki të forta, së pari për të garantuar shërbime më të mira për komunitetet, por na duhen edhe bashki të forta për të qenë konkurruese me projektet në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Komisioni i Ligjeve vijon shqyrtimin e projektligjit, ndërsa mazhoranca synon që ai të kalojë për votim në seancën plenare të së enjtes.

Lexo edhe

Harta e re territoriale ndez “ligjet”. Korreshi e Strazimiri përplasen me Manjën për bashkitë

“Rama është i plagosur rëndë”, Berisha mbledh aleatët për hartën territoriale: Ne propozojmë 100 bashki

Reklame