Reforma administrativo-territoriale ka sjellë debate të forta në Komisionin e Ligjeve, ku deputetët e opozitës kundërshtuan mënyrën dhe ritmin e ndjekur për shqyrtimin e draftit.
Deputetët Saimir Korreshi dhe Gent Strazimiri kërkuan që përpara vijimit të procedurës të administrohen qëndrimet e bashkive dhe të merret në konsideratë edhe nisma e opozitës për ndarjen territoriale.
Korreshi akuzoi drejtuesin e Komisionit të Ligjeve se po i jep përparësi nismës së mazhorancës, duke ironizuar edhe mënyrën se si janë trajtuar shkresat e ardhura nga pushteti vendor.
“Ka Shqipëria pa fund probleme. Këto të bashkive kanë një problem, i janë drejtuar Kuvendit, jo Maznikut. I janë drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, tha Korreshi, duke kërkuar që materialet e depozituara nga bashkitë të administrohen përpara marrjes së vendimit.
Ai e krahasoi ritmin e shqyrtimit të nismës së mazhorancës me atë të opozitës, duke ironizuar: “Jeni ju kuzhinier që gatuani më mirë. Pse nuk u bë brenda ditës edhe e jona. Apo kishte punë të tjera Niko?”
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, iu përgjigj se edhe nisma e opozitës është përcjellë për konsultim te bashkitë dhe se procedura e ndjekur ka qenë e njëjtë.
“Është nisur nisma juaj njësoj si e jona të gjitha Bashkive. Me të njëjtën procedurë, siç e keni kërkuar ju”, deklaroi Manja.
Në debat u përfshi edhe deputeti Gent Strazimiri, i cili kërkoi që dy nismat për reformën territoriale të shqyrtohen së bashku. Ai pretendoi se procedura po vijon pa u administruar plotësisht qëndrimet e këshillave bashkiakë dhe akuzoi drejtuesin e komisionit për shkelje të Kushtetutës dhe ligjit.
“Kushtetuta ta ka mbyllur gojën, të ka lidhur duar e këmbë me nenet. Ti duhet ta kishe mbyllur këtë mbledhje që herës që të thashë unë. Të janë shprehur me shkrim këshillet bashkiake që nuk e duan”, tha Strazimiri.
Ai kërkoi që të pritet edhe për nismën e opozitës, duke kundërshtuar afatet e përcaktuara për përmbylljen e shqyrtimit.
“Duhet të prisni dhe të vijnë dhe nismat tona, të bëhen bashkë”, u shpreh Strazimiri, duke shtuar se sipas tij “15 bashki ishin që interesoheshin, tani janë bërë 16, edhe e Krujës”.
Sipas kalendarit parlamentar të raportuar më herët, drafti i mazhorancës parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, ndërsa votimi në seancë plenare është planifikuar për 8 tetor.
Debati për procedurën dhe konsultimin me pushtetin vendor pritet të vijojë në ditët e ardhshme, ndërsa reforma hyn në fazën përfundimtare të shqyrtimit parlamentar.
Lexo edhe
Veliaj kundër ‘Territoriales’, letër Kuvendit: Mos e votoni, s’është konsultuar!
Protestë para Kuvendit. Banorët e Memaliajt dhe Fushë-Arrëzit kundër hartës së re territoriale














