Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me fotografinë e kutisë së mbushur me kartëmonedha euro, e cila sipas materialeve hetimore të SPAK të raportuara në media, dyshohet se është fotografuar në vilën në Dhërmi, të lidhur me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Gjatë deklaratës së tij, Berisha e cilësoi shumën e parave në kuti si “para xhepi” të Ballukut.
Berisha ngriti edhe pretendime lidhur me një tjetër rast, atë të deputetit dhe ish-ministrit Arbjan Mazniku. Sipas Berishës, në banesën e Maznikut janë gjetur 900 mijë euro, por në procesverbal janë shënuar vetëm 3 mijë euro.
“Kutia me euro e Lubisë, në vilën e kuqe të saj, se edhe ajo ka vilë të kuqe, janë paratë e xhepit të kësaj lubie të vërtetë. Qofshin dhe miliona, janë paratë e xhepit të saj. Nuk ka pasur Shqipëria një racë të shpifur në pushtet si këta hajdutë. Meqë pyet për këtë, po ta tregoj dhe një rast tjetër. E ke parë nga ekrani në ekran përballë studentëve një farë Mazniku. Ministri Mazniku. Mazniku, që ta dinë shqiptarët, edhe atij iu gjet arka me euro, me 900 mijë euro në shtëpi, me procesverbal. Në fakt, që ta dini mirë, i denoncuar nga të afërm të tij. Se le t’ia themi edhe qytetarëve se si u bë kontrolli. Dhe në procesverbal u shkruajtën 3 mijë euro. Dhe gjer sot, këto paratë e xhepit që u gjetën atij aty, 900 mijë euro, nuk e penguan atë të bëhet ministër, nuk e penguan atë të bëhet deputet. Vetëm e vetëm se është avokati i padronit dhe e nxjerr nga studio në studio”,- tha Berisha.
Lexo edhe
Kutia me euro në vilën e Ballukut, Këlliçi: Rama mbron korrupsionin, fundin e ka afër














