Nën masa të rrepta sigurie ka nisur seanca gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm për Rubens Saraivën, portugezin e dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.
Ngjarja ndodhi më 19 prill 2023, në lokalin e Nikulajt në Shëngjin. Në sallën e gjyqit janë të pranishëm edhe familjarët e viktimës. Gjatë seancës, avokati Cakrani ngriti shqetësimin se klientit të tij nuk i është paraqitur asnjë akt procedural në një gjuhë që ai kupton, anglisht ose portugalisht. Sipas mbrojtjes, të drejtat e Saraivës janë cenuar si gjatë fazës së hetimit, ashtu edhe gjatë gjykimit në shkallën e parë.
Avokati Cakrani: Asnjë akt procedural nuk i është paraqitur të pandehurit në gjuhën që ai kupton, në anglisht apo portugalisht. Që në fazën e hetimit dhe gjatë gjykimit në shkallën e parë, i janë cenuar të gjitha të drejtat.
Rubens Saraiva: Unë nuk jam njohur me asnjë dokument.
Prokuroria: I pandehuri duhet të jetë njohur me ankimin. Avokati duhet t’ia kishte vendosur në dispozicion në gjuhën angleze dhe portugeze, që të njihet me ankimin e bërë kundër vendimit të shkallës së parë.
Prokurorja Balla: Së pari, i pandehuri duhet të njihet dhe të qartësohet me ankimin dhe më pas të diskutohen çështjet e tjera. Duhet t’i njihet ankimi.
Gjykata: A ia keni vënë në dispozicion ankimin të pandehurit? A e keni vënë në dijeni që është bërë ankim?
Avokati Cakrani: Unë nuk e kam takuar, pasi më duhet të marr përkthyes me vete, por nuk më është lejuar. Kam bërë disa herë kërkesa në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, por nuk kam marrë një përgjigje, sepse kam tentuar ta takoj me përkthyes.
Lexo edhe
“Vrasja e Ardian Nikulaj/ Gjykata e Lezhës dënon portugezin Saraiva me burgim të përjetshëm”














