TIRANË – Protesta e studentëve dhe të rinjve në kryeqytet është përshkallëzuar ndjeshëm, me incidente, dëme materiale dhe përplasje të forta mes demonstruesve dhe forcave të policisë.
Pas skenave të dhunës në Rrugën e Durrësit dhe pranë Ministrisë së Arsimit, protestuesit janë zhvendosur drejt Ministrisë së Financave, ku kanë hyrë në ambientet e godinës dhe kanë shkaktuar dëme të shumta.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, brenda ambienteve janë nxjerrë sende të ndryshme, ndërsa raportohet për shkatërrime dhe zjarr. Situata është tensionuar më tej, duke e kthyer zonën në një tjetër vatër incidentesh.
Përplasjet mes protestuesve dhe policisë janë shoqëruar edhe me hedhjen e gurëve në drejtim të efektivëve. Sipas informacionit të raportuar nga vendngjarja, disa prej gurëve kanë goditur efektivë në kokë.
Dhuna ndaj punonjësve të policisë ka shtuar tensionet, ndërsa situata ka kërkuar ndërhyrjen e forcave të rendit për të ndaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.
Sipas informacioneve nga terreni, forcat e policisë kanë mbërritur në zonë dhe kanë ndërhyrë për të ndaluar shkatërrimin e mëtejshëm të godinës së Ministrisë së Financave. Pas ndërhyrjes, kanë nisur edhe arrestimet e protestuesve.
Deri në konfirmimin zyrtar, nuk ka një bilanc të plotë për numrin e personave të arrestuar, efektivët e lënduar apo dëmet e shkaktuara brenda institucionit.
Protesta, e cila vijon për të dytën ditë radhazi, është shoqëruar me tensione dhe dëmtime të pronës publike e private. Në Rrugën e Durrësit dhe pranë Ministrisë së Arsimit janë raportuar trotuare të shkulura, kangjella të shkatërruara, xhama të thyer dhe ambiente të dëmtuara nga zjarri.
Zhvendosja e protestuesve drejt Ministrisë së Financave dhe përplasjet e reja me policinë kanë shtuar shqetësimet për sigurinë në kryeqytet. Pritet një njoftim zyrtar për bilancin e incidenteve dhe masat e marra nga autoritetet.
Lexo edhe
Përshkallëzohet protesta studentore, i vihet zjarri filialit të IuteCredit tek Rruga e Durrësit
Trotuare të shkulura, xhama të thyer, zyra të djegura. Rruga e Durrësit pas protestës













