Protesta e studentëve dhe të rinjve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është shoqëruar me tensione. Protestuesit kanë hedhur kapsolla, vezë, tullumbace me ujë dhe letra higjienike në drejtim të godinës, ndërsa kanë kërkuar dorëheqje dhe kanë lëshuar thirrje kundër qeverisë.
“Dorëheqje!”, “Poshtë qeveria!” dhe “Forca, rinia!” ishin disa nga sloganet që u dëgjuan gjatë tubimit, ku studentë dhe të rinj nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit u mblodhën për të kundërshtuar problematikat që, sipas tyre, vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
Sipas raportimit në pjesën e pasme të godinës së Ministrisë së Arsimit janë vendosur forca të shtuara policie. Në zonë është parë gjithashtu edhe një autobot me ujë.
Protesta ishte thirrur në nivel kombëtar nga studentët dhe të rinjtë, të cilët synojnë të tërheqin vëmendjen e institucioneve për shqetësimet e tyre dhe të kërkojnë reagim konkret.
Deri në këto momente, në informacionin e bërë publik nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi ndonjë reagim zyrtar të Ministrisë së Arsimit lidhur me kërkesat e protestuesve.
Lexo edhe
Studentët nuk do të jenë më numra, Ina Zhupa: Thirrje për protestën e 13 tetorit













