Tiranë – Trotuare të shkulura, gurë të shpërndarë gjithandej, kangjella të shkatërruara, xhama të thyer, zyra të djegura dhe semaforë të dëmtuar. Kjo është pamja që ka mbetur në Rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, pas përshkallëzimit të protestës së studentëve.
Godinat përgjatë rrugës kanë pësuar dëmtime, ndërsa në disa ambiente vërehen shenja zjarri dhe dëme materiale. Gurët dhe pjesët e trotuareve të shkulura kanë mbetur të shpërndara në rrugë, duke dëshmuar për përmasat e përplasjeve të regjistruara gjatë protestës.
Edhe kangjellat metalike dhe sinjalistika rrugore janë dëmtuar, ndërsa xhamat e thyer dhe ambientet e djegura kanë lënë pas një situatë të rëndë në zonën pranë Ministrisë së Arsimit.
Pas incidenteve, protestuesit janë larguar nga kjo zonë dhe janë drejtuar në drejtim të Parlamentit, ku pritet të vijojnë zhvillimet e protestës.
Demonstrata, e cila ka hyrë në ditën e dytë, është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Dëmet materiale të shkaktuara në Rrugën e Durrësit mbeten një nga pasojat e përshkallëzimit të situatës në kryeqytet.
Lexo edhe
Rama për protestën e studentëve: Ata që kryen akte dhune nuk janë studentë, të tjerët të dëgjohen
Përshkallëzohet protesta studentore, i vihet zjarri filialit të IuteCredit tek Rruga e Durrësit













