Kur pushteti ndjen se po i rrëshqet toka nën këmbë, nuk kërkon gjithmonë policë. Ndonjëherë kërkon aktorë të rinj!

Prej javësh, protestat po tronditin qeverinë. Top Channel, i sulmuar nga protestuesit, ka qenë në qendër të përplasjes. Sipas burimeve të Tempull.com, në një mbledhje të drejtuesve të televizionit, Lori Hoxha u ka përcjellë mesazhin se, kur sulmohet media ku punojnë, duhet t’i dalin zot ose të largohen. Më pas, disa prej figurave të ekranit u panë gjithnjë e më pak në protestë, ndërsa televizioni vijoi përplasjet editoriale me protestuesit.

Reklame

Dhe pikërisht tani, kur protesta po merr përmasa të reja, shfaqet Luizi Ejlli, së bashku me Kiarën dhe vajzën e tyre. Pa maskë, mes studentëve, deklaron se qeveria ka rënë. Kur e pyesin pse ka ardhur, përgjigjja që u atribuohet është: “Më tha Luna të vija.”

Studentët nuk e pritën si yllin e radhës. I kujtuan se aty kishte gaz, dhunë dhe rrezik, jo kamera e skenë.

Por pyetja e vërtetë është tjetër: Kush përfiton kur një protestë politike shndërrohet në spektakël?

Rama e di më mirë se kushdo fuqinë e famës. Në Shkodër, popullariteti i Luizit pati ndikim të dukshëm në klimën elektorale që i solli përfitime Partisë Socialiste. Sot, kur qeveria përballet me një krizë, shfaqja e tij në protestë ngre pikëpyetje që nuk mund të injorohen.

A po provohet terreni për një alternativë të re, të paketuar me famë televizive, që nesër mund të paraqitet si zgjidhje për një qeveri teknike? A po kërkohet një fytyrë e re që të shpëtojë sistemin pa ndryshuar ata që e kanë drejtuar?

Nuk ka prova që Rama e ka dërguar Luizin apo se ekziston një plan i tillë. Por koha, konteksti dhe përvoja shqiptare me shndërrimin e famës në kapital politik e bëjnë këtë pyetje legjitime.

Rama mund të jetë duke kërkuar një mënyrë për të hequr hekurat nga koka: të ndryshojë skenën, të sjellë aktorë të rinj dhe t’i shesë publikut një ndryshim pa ndryshuar pushtetin.

Por studentët nuk dolën në rrugë për të zgjedhur një yll televiziv si shpëtimtar. Dolën sepse kërkojnë përgjegjësi dhe ndryshim.

Dhe nëse nesër na servirin një kryeministër të ri të prodhuar nga spektakli, pyetja është e thjeshtë: A do të ndryshojë Shqipëria, apo thjesht do të ndërrohet aktori kryesor, ndërsa regjisorët do të mbeten të njëjtët?

Lexo edhe

U neutralizua një dron me eksploziv që synonte Kryeministrinë,Rama: Duhet dialog, më thoni pse duhet të iki

Rama: Protestat po nxisin dhunë, “nuk dua të bie në kurthin që kërkon gjak”

Reklame