Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se protestat e dhunshme në Tiranë po e çojnë situatën drejt një përshkallëzimi të rrezikshëm, duke pretenduar se dhuna synon të provokojë një reagim me pasoja të rënda. Ai tha se po përpiqet të mos bjerë në atë që e cilësoi si “kurthin e dhunës që kërkon gjak”.

Gjatë një deklarate për situatën e krijuar në kryeqytet, Rama iu referua edhe ngjarjeve të 21 Janarit 2011, kur katër protestues u vranë me armë zjarri gjatë protestës para Kryeministrisë.

Reklame

Sipas tij, situata aktuale ndryshon nga ajo e 21 Janarit për shkak të dëmeve ndaj institucioneve, bizneseve dhe përplasjeve me policinë.

Rama: Gurët dhe molotovët rrezikojnë jetën e efektivëve

Kryeministri dënoi hedhjen e gurëve, sendeve metalike dhe molotovëve ndaj policisë, duke i cilësuar këto veprime si dhunë të rrezikshme. Ai tregoi edhe një gur të shkëputur nga trotuari i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke argumentuar se mund të shkaktojë dëmtime të rënda nëse godet dikë në kokë.

Rama u bëri thirrje qytetarëve të marrin në konsideratë edhe kushtet dhe rreziqet me të cilat përballen efektivët e policisë gjatë protestave. Sipas tij, punonjësit e policisë po përballen me një situatë të vështirë dhe kanë nevojë për mbështetje.

Ai theksoi se vetëpërmbajtja duhet të jetë parimi kryesor për të shmangur pasoja më të rënda.

“Po sfidohet Shqipëria në rrugën drejt BE-së”

Rama pretendoi se dhuna nuk përfaqëson të gjithë protestuesit dhe as rininë shqiptare, por një grup të vogël personash që, sipas tij, po nxisin përplasjet.

Ai përsëriti qëndrimin se protestat po ndikohen nga ideologji ekstremiste dhe se pas dhunës qëndrojnë organizatorë që synojnë destabilizimin e vendit. Në këtë kontekst, kryeministri foli edhe për një “dorë të huaj”, pa paraqitur në deklaratën e cituar prova konkrete për këtë pretendim.

Kreu i qeverisë e lidhi situatën me synimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian në vitin 2030, duke thënë se po sfidohen mënyra demokratike e zgjidhjes së konflikteve dhe perspektiva evropiane e vendit.

Deklaratat e Ramës vijnë pas disa ditësh protestash të shoqëruara me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, të lënduar dhe dëme materiale në Tiranë. Ndërsa kryeministri akuzon grupe të organizuara për nxitjen e dhunës, protestuesit kanë vijuar të shprehin pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre politike.

Lexo edhe

Rama për protestat: “Studentët janë pengje të grupit të zjarrit”, akuzon Berishën dhe duart e huaja

U neutralizua një dron me eksploziv që synonte Kryeministrinë,Rama: Duhet dialog, më thoni pse duhet të iki

Reklame