Kryeministri Edi Rama deklaroi se dy ditë më parë, gjatë protestave në Tiranë, është neutralizuar një dron me eksploziv që, sipas tij, kishte si objektiv goditjen e Kryeministrisë. Rama pretendoi se plani synonte t’i vinte zjarrin oborrit të brendshëm të godinës, duke paralajmëruar për pasoja të mundshme të rënda.

“Para dy ditësh është neutralizuar një dron me eksploziv, i destinuar për të goditur Kryeministrinë”, u shpreh Rama, duke e lidhur ngjarjen me atë që e cilësoi si ndërhyrje të një “dore të huaj”.

Reklame

Deri në këtë deklaratë, nuk janë dhënë hollësi të tjera mbi incidentin, ndërsa pretendimi për dronin dhe objektivin e tij kërkon konfirmim nga autoritetet përgjegjëse.

Rama: Duhet dialog, por kjo nuk është lëvizja studentore e vitit 2018

Kryeministri u shpreh se dialogu është i domosdoshëm, por vuri në pikëpyetje se me kë duhet të zhvillohet ai. Sipas Ramës, protestat aktuale ndryshojnë nga lëvizja studentore e dhjetorit 2018 dhe janë, sipas tij, një “kurth” i përgatitur për Shqipërinë.

Ai akuzoi persona të paguar dhe grupe ekstremiste se po përdorin të rinjtë, ndërsa përmendi edhe Partinë Demokratike dhe Iranin në pretendimet e tij për nxitjen e protestave.

“Më thoni pse duhet të iki”, Rama për thirrjet për dorëheqje

Duke iu përgjigjur thirrjeve të protestuesve për dorëheqjen dhe burgosjen e tij, Rama tha se i ka dëgjuar ato çdo ditë, por pretendoi se nuk i është paraqitur një kërkesë konkrete që të argumentojë pse duhet të largohet nga detyra.

“Ti do që unë të iki, kjo është gjëja më normale në botë, por si do të iki unë? Të paktën hajde më bind pse duhet të iki unë ose të bind unë pse s’duhet të iki unë”, deklaroi kryeministri.

Rama iu referua gjithashtu protestave të mëparshme në zonën e Zvërnecit, duke thënë se pretendimet dhe konspiracionet e ngritura gjatë asaj proteste tashmë mund të shqyrtohen përmes materialeve të publikuara online.

Protestat në Tiranë vijojnë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa deklaratat e kryeministrit për dronin me eksploziv, ndërhyrjen e faktorëve të huaj dhe organizimin e protestave mbeten për t’u vlerësuar në dritën e informacioneve dhe konfirmimeve zyrtare.

Lexo edhe

Rama për protestat: “Studentët janë pengje të grupit të zjarrit”, akuzon Berishën dhe duart e huaja

“Edi Rama nuk është shteti”, Zhllima kritikon sjelljen e policisë gjatë protestave

Reklame