Policia e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në terren gjatë 48 orëve të fundit, me fokus parandalimin e paligjshmërive dhe rritjen e sigurisë publike e rrugore.
Forca e Posaçme Operacionale dhe shërbimet e Policisë Rrugore kanë zhvilluar kontrolle të befasishme në akset kryesore rrugore dhe zona të ndryshme të kryeqytetit.
Kontrollet kanë pasur në fokus armëmbajtjen pa leje, posedimin e lëndëve narkotike, personat në kërkim, si dhe automjetet luksoze, të blinduara, me xhama të errësuar tej normave të lejuara dhe me modifikime që shkaktojnë zhurma shqetësuese.
131 automjete dhe 213 persona të kontrolluar
Sipas Policisë së Tiranës, gjatë 48 orëve janë kontrolluar dhe verifikuar:
- 131 automjete;
- 213 shtetas;
- 5 persona dhe automjete janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për verifikime të mëtejshme;
- 7 shtetas janë arrestuar ose proceduar për drejtim mjeti në gjendje të dehur, drejtim pa leje drejtimi apo shkelje të rregullave të qarkullimit;
- 3012 masa administrative janë vendosur për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor;
- 34 automjete janë bllokuar;
- 9 leje qarkullimi janë tërhequr.
Shkeljet më të konstatuara
Masat administrative janë vendosur për drejtim nën efektin e alkoolit, tejkalim të shpejtësisë, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit, xhama të errësuar tej normave, mosdhënie përparësie këmbësorëve, parakalime të gabuara dhe shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me fokus rritjen e sigurisë publike dhe rrugore, parandalimin e paligjshmërive dhe garantimin e një mjedisi më të sigurt për qytetarët.
Lexo edhe:
Rrugorja “në aksion” me dronë dhe radarë, ndëshkime të forta për shkeljet në trafik
Kodi i ri Rrugor: Kur hiqet patenta përgjithmonë për alkoolin?













