Më 22 tetor qarkulloi një lajm se drejtorët e 134 institucioneve, me urdhër të Ramës, duhej të jepnin dorëheqjen nga detyrat që mbanin. Një reagim i tillë erdhi pas protestave në shesh dhe pakënaqësive për korrupsionin, mungesën e performancës dhe cilësinë e dobët të shërbimeve nga shumë drejtori. Akuza këto që janë bërë të shpeshta nga protestuesit, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Ramës.
Por, kur të gjithë protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës, ky i fundit, për të shpëtuar veten dhe për të gjetur një zgjidhje që të ulte pakënaqësitë, u kërkoi dorëheqjen drejtorëve të institucioneve më kryesore në vend.
Pas këtij urdhri dhe me kthimin e Ramës nga vizita në Malin e Zi, nisën të dilnin edhe lajmet e para: drejtori i Doganave dha dorëheqjen, drejtori i Hekurudhës, megjithëse nuk kemi hekurudhë, e paguajmë një të tillë me taksat tona, dha dorëheqjen, e kështu me radhë, Tatimet, ARRSH, KESH-i, OSHEE-ja e shumë të tjerë.
Pra, u la të kuptohej se drejtorët që bënin ligjin në administratë ishin lepuj para kryeministrit. Pa kërkuar asnjë shpjegim për arsyen e dorëheqjes, u bindën dhe firmosën.
OK, deri këtu. Po e pranojmë urdhrin e të madhit. Por çfarë ndodh pas kësaj?
Si gjithmonë, asgjë! U mbars mali e polli një mi.
Rama harroi çfarë kishte kërkuar. Drejtorët harruan se kishin dhënë dorëheqjen dhe gjithçka vazhdon sërish normalisht.
Kjo ndoshta edhe sepse, mësohet se Rama pati një takim kokë më kokë me Belinda Ballukun pas mbledhjes së grupit. Dhe nuk duhet të harrojmë faktin se pjesa më e madhe e drejtorëve të dikastereve kryesore janë njerëzit e Ballukut, të zgjedhurit dhe mbështetësit e saj.
Si mund të largohen ata në këtë moment?! Kjo nuk mund të ndodhë! Ndaj, të nesërmen gjithçka u harrua.
Dhe, si për të kujtuar se kush është shefi këtu dhe kush drejton tashmë, drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, doli në krah të ministrit gjatë prezantimit të punimeve për një rrugë që lidh Tiranën me Durrësin. Një arterie e rëndësishme ndihmëse për kryeqytetin, ndaj s’kishte si të mos ishte drejtori aty.
Por më shumë sesa shqetësim për rrugën, kjo u duk si një tregim force: gjërat janë ashtu siç i ka lënë zonja ministre dhe asnjë nga drejtorët e saj, qoftë te rrugët, OSHEE-ja, KESH-i apo kudo tjetër, nuk mund të lëvizë kaq kollaj.
Kjo u kuptua. Por çfarë do të bëjë Rama? Kë do të marrë në provim e kë do të testojë pas 14 vitesh, kur ka drejtorë të njëjtë dhe të njëjtët emra qarkullojnë prej vitesh? Thua se vendi nuk ka njerëz të tjerë të përgatitur, por vetëm këta? Shyqyr që i kemi, se na kanë shpëtuar vendin dhe xhepat tanë! Erdhën pa bukë dhe u bënë milionerë.
Tani, thjesht do të presim kryeministrin të heqë ndonjë drejtor cirku, teatri a estrade, se ata e kanë kalbur këtë sistem.
Tashmë duket qartë se edhe kjo ishte thjesht farsa e radhës e Ramës. Edhe protesta në shesh është qetësuar, nuk e ka më forcën e dikurshme dhe, ditë pas dite, numri i protestuesve tkurret. Ajo nuk duket më si një shqetësim i madh për qeverinë.
Do të bëjmë një sy qorr e një vesh shurdh dhe do të presim deklaratën e Ramës, që të na thotë se si kakarisën njerëzit për dorëheqje, por këto ishin veçse lajme kazani, se qeveria dhe drejtoritë janë të forta dhe vazhdojnë punën përpara, drejt integrimit në BE.
lexo edhe
134 drejtues nën presionin e dorëheqjes! Rama kërkon llogari, ja institucionet që preken














