Një 21-vjeçar është arrestuar nga Policia e Dibrës, pasi dyshohet se kërcënoi një biznesmen në Peshkopi duke i kërkuar 50 mijë euro në këmbim të mosshpërthimit të një pajisjeje të dyshimtë të vendosur në biznesin e tij.
Ngjarja u regjistrua në një pikë karburanti në pronësi të biznesmenit Zija Shulku. Sipas Policisë, i dyshuari kishte lënë një kuti të dyshimtë, brenda së cilës ndodheshin një telefon, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar pamjen e një pajisjeje shpërthyese.
Mbi kuti ishte vendosur edhe një letër kërcënuese, ku kërkohej pagesa e 50 mijë eurove në kriptomonedha. Në mesazh pretendohej se kutia përmbante lëndë plasëse C4 dhe se do të shpërthente nëse paratë nuk paguheshin brenda afatit të përcaktuar.
Pas mbërritjes së forcave xheniere të RENEA-s, kutia u kontrollua dhe rezultoi se nuk kishte lëndë shpërthyese.
Policia thotë se 21-vjeçari Engjell Karoshi, u identifikua brenda pak orësh, ndër të tjera përmes veprimeve hetimore dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, dhe u arrestua në flagrancë.
Ai dyshohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Dibrës për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për verifikimin e mundësisë së përfshirjes së personave të tjerë.
Njoftimi i policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kërcënimi”.
Vendosi një pajisje të dyshimtë dhe kërcënoi për shpërthimin e saj, në këmbim të 50 000 eurove. Policia zbardh brenda pak orëve ngjarjen, identifikon dhe vë në pranga autorin e dyshuar.
Më datë 02.10.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet Operacionale në DVP Dibër, finalizuan operacionin policor të koduar “Kërcënimi”.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe hetimit intensiv, brenda pak orësh u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Engjell Karoshi., 21 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s, u krye hapja dhe kontrolli i kutisë, nga ku rezultoi se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese.
Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas dyshohet se, rreth orës 14:30, në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh., kishte vendosur një kuti të dyshimtë, mbi të cilën ndodheshin një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar.
Mbi kuti ishte vendosur një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e shumës prej 50 000 eurosh, në formën e një gjobe. Pagesa kërkohej të kryhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi të kriptomonedhave, në adresën e përcaktuar nga autori.
Në letër, autori kërcënonte se kutia do të shpërthente nëse pagesa nuk kryhej brenda afatit të përcaktuar prej tij, nëse kutia do të lëvizte ose nëse do të njoftohej Policia apo persona të tjerë.
Gjithashtu, ai pretendonte se kutia përmbante lëndë plasëse C4, ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe telekomandim dhe se ambienti monitorohej me kamera.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.
Lexo edhe
Zjarret në Shqipëri/ 21 vatra gjatë ditës, 5 mbeten aktive në Dibër, Shkodër dhe Fier
Tragjedi në Dibër/ 31-vjeçari humb jetën duke peshkuar në Drinin e Zi (EMRI)













