Advertisement

Gjatë mbrëmjes së fundit në Big Brother VIP Kosova, banorja Elijona ndau me publikun një histori personale që, sipas saj, nuk e kishte bërë publike më parë. Rrëfimi i saj preku banorët dhe shikuesit, teksa ajo foli për një periudhë të vështirë të fëmijërisë dhe ndarjen nga familja.

Elijona tregoi se problemet nisën që në klasën e dytë, kur jetonte në Gjermani, duke theksuar dallimet mes rregullave shkollore dhe ligjore atje dhe atyre në Kosovë. Ajo përmendi raste kur nëna e saj ishte vonuar ta merrte nga shkolla apo e kishte harruar për shkak të angazhimeve me motrën e saj, duke sqaruar se, ndonëse shkolla ishte shumë afër shtëpisë, në Gjermani fëmijët e ciklit fillor nuk lejohen të kthehen vetëm në shtëpi.

Reklame

Sipas Elijonës, edhe detyrat e papërfunduara u konsideruan nga mësuesja dhe shërbimet sociale si një problem serioz, çka kontribuoi në ndërhyrjen e institucioneve dhe në ndarjen e saj nga familja.

Megjithatë, rrëfimi i saj ka nxitur reagime dhe polemika jashtë shtëpisë së BBVIP. Në rrjetet sociale po qarkullon një fotografi e një komenti, që pretendohet të jetë i dajës së saj, i cili e ka cilësuar versionin e Elijonës si të pavërtetë.

Sipas këtij reagimi, largimi i Elijonës dhe vëllait të saj nga familja nuk lidhej me problemet në shkollë apo me rregullat institucionale, por, sipas tij, ishte pasojë e dhunës së ushtruar nga babai ndaj fëmijëve dhe bashkëshortes, situatë që më pas çoi edhe në divorc.

Ngjarja ka hapur diskutime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa publiku mbetet i ndarë mes mbështetjes për rrëfimin e Elijonës dhe versionit alternativ të paraqitur nga familjarët e saj.

Reklame