Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, zhvilloi një takim me drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, si dhe me shefat e komisariateve dhe sektorëve në varësi të saj, në fokus të rritjes së rendit dhe sigurisë në kryeqytet.

Në këtë takim, Hita kërkoi angazhim maksimal, përkushtim dhe profesionalizëm nga strukturat policore për parandalimin dhe goditjen e çdo forme kriminaliteti. Ai theksoi nevojën për intensifikimin e luftës kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike, kultivimit të kanabisit – si në ambiente të hapura ashtu edhe të mbyllura – si dhe ndaj armëmbajtjes pa leje.

Reklame

Një tjetër fokus i rëndësishëm ishte edhe goditja e krimeve ekonomike, lojërave të fatit dhe call center-ave të paligjshëm, trafiqeve të ndryshme dhe krimeve mjedisore, përfshirë ndërtimet pa leje dhe zaptimin e hapësirave publike.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm ndaloi edhe te siguria në tërësi, duke veçuar sigurinë në shkolla, sigurinë kibernetike dhe atë rrugore, si prioritete që kërkojnë rritje të prezencës policore dhe përmirësim të kapaciteteve profesionale.

Hita kërkoi gjithashtu reagim të menjëhershëm ndaj çdo denoncimi apo shqetësimi të qytetarëve, duke theksuar se ligji dhe qytetarët janë në qendër të punës së Policisë së Shtetit.

“Besimi i qytetarëve fitohet me punë dhe me sjellje korrekte”, u shpreh ai, ndërsa u bëri thirrje drejtuesve të jenë më pranë efektivëve në terren, t’i mbështesin dhe motivojnë në përmbushjen e detyrave.

Takimi vjen në kuadër të përpjekjeve për të rritur parametrat e sigurisë dhe për të forcuar rendin publik në Tiranë.

Reklame