Nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, ka reaguar ndaj raportimeve të disa portaleve lidhur me denoncimet e tij për rastin e JetBank dhe kazinosë në stadiumin “Air Albania”.
Këlliçi i akuzon mediat për keqinformim dhe thotë se denoncimet e bëra publikisht janë ndjekur edhe institucionalisht, përmes kërkesave zyrtare drejtuar disa institucioneve shtetërore.
Ai deklaron se do ta ndjekë çështjen deri në fund dhe se synimi është që dosja të përcillet për hetime të mëtejshme në SPAK. Këlliçi u ka bërë gjithashtu thirrje gazetarëve që duan të verifikojnë çështjen të kontaktojnë me të dhe PD-në për të marrë dokumentacionin dhe informacionin në dispozicion.
Reagimi i plotë:
Prej disa ditësh, portale të caktuara, krejt papritur po keqinformojnë publikun në lidhje me disa denoncime të bëra nga Partia Demokratike, e më konkretisht, me faktet e bëra publike nga unë, për rastin e JetBank dhe kazinonë e vendosur në stadiumin Air Albania.
Titujt mund të jenë të ndryshëm! Diku akuzohem se bëj denoncime sipas interesave, diku sipas kalendarit, diku si “gjobaxhi”, por teksti i përket së njëjtës “fabrikë”.
Them “fabrikë”, sepse ç’shkruhet, nuk ka te bëjë aspak me gazetarinë e me informimin publik, gjë që do të kërkonte minimalisht të kontaktohesha zyrtarisht.
Me një telefonatë të thjeshtë do të informoheshin se pas konferencës së datës 28 korrik, ku së bashku me Kryetarin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berishën, paraqitëm fakte e prova të forta mbi rolin e Olsi Ramës në liçensimin e kazinosë, dhe për kompaninë fiktive amerikane, nën emrin e një venezueliani anonim.
I jam drejtuar zyrtarisht disa institucioneve shtetërore si, Agjencia e Monitorimit të Lojrave të Fatit, Ministrisë së Financave, Agjencisë së Inteligjencës Financiare, AIDA-s, Avokaturës së Shtetit, Autoritetit të Konkurrencës si dhe ASHK Durrës. (fotot bashkëlidhur).
Aferën në fjalë, jo vetëm e denoncova mediatikisht, por nëshkrova çdo kërkesë informacioni dhe dokumentacioni, për çdo hallkë të kësaj çështjeje.
Ndryshe nga mediat e portalet që nuk i hynë një ditë të vetme zbulimit të rolit të vëllait të kryeministrit në këtë skemë, unë çdo investigim e denoncim të PD-së, e shndërrova në dokument zyrtar me datë, numër protokolli dhe adresë. Sepse historia na ka mësuar se “verba volant, scripta manent”.
Ndryshe nga mediat e portalet, që po vërtetojnë çdo ditë e më shumë përdorimin nga anëtarët e organizatës kriminale të drejtuar nga Edi Rama, për të linçuar e goditur opozitën, unë jam Deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe kam detyrimin për të bërë transparencë institucionale.
Ndryshe nga mediat e portalet që po përdoren nga klanet e pushtetit për të ngrënë kokat e tyre, sipas profecisë së vetë Ramës, unë nuk kam detyrimin të prodhoj çdo 24 orë nga një “bombë”, që të ushqej algoritmin.
Ama kam detyrimin, guximin dhe vendosmërinë absolute që atë që denoncoj publikisht, ta ndjek institucionalisht gjer në fund, me administrimin e të gjitha përgjigjeve nga institucionet respektive.
Disa prej tyre jo vetëm që nuk përgjigjen, por i kanë hyrë mundimit sfilitës të fshehin apo zhdukin dokumentacionin. Por nuk jam ndalur e s’ka për të ndodhur kurrë, derisa dosja të përcillet për hetime të mëtejshme në SPAK.
Sa për anëtarët e organizatës kriminale, nuk dua t’i ndal në proçesin e ngrënies së kokave me njëri-tjetrin. Luftërat mes njerëzve që deri dje ndanin të njëjtën çati pushteti, nuk më interesojnë aspak!
Por një garanci për ta e kam: opozita dhe unë personalisht, tashmë po faktojmë krimet e shefit tuaj, e shumë shpejt do të jeni bashkë në Durrës.
Një ftesë të hapur kam edhe për çdo gazetar që kërkon t’i shkojë kësaj çështjeje deri në fund. Partia Demokratike dhe unë personalisht, jemi të gatshëm të vëmë në dispozicion informacionin dhe dokumentacionin që disponojmë, t’u përgjigjemi pyetjeve dhe të bashkëpunojmë për çdo fakt që kërkon verifikim. Na kontaktoni kurdoherë.
Nuk është e nevojshme të ndajmë të njëjtat qëndrime, mjafton të ndajmë të njëjtin qëllim: transparencën!

Lexo edhe
Skandali i SHISH, Këlliçi: Vlora Hyseni po mbron eprorin e saj, Rama është kreu i narkoshtetit
Këlliçi: SPAK të zbardhë edhe takimin me Ramën. “Të gjenden provat e 8 shtatorit”














