Advertisement

Në një superoperacion të koduar “JAD Mobile 8”, Europol në bashkëpunim me Frontex dhe autoritetet e vendeve europiane, përfshirë Shqipërinë, ka goditur rrjetet kriminale të trafikut të makinave dhe qenieve njerëzore. Aksioni u zhvillua gjatë muajit tetor, kryesisht në Greqi, ku ndodheshin bazat kryesore të celulave kriminale.

Gjatë 11 ditëve të operacionit, u kontrolluan qindra automjete dhe u zbuluan 231 makina të vjedhura dhe të falsifikuara vetëm në Greqi, ndërsa në nivel europian u identifikuan gjithsej 462 automjete, 232 më shumë se vitin e kaluar.

Reklame

Nga aksioni dolën edhe arrestime: 84 emigrantë të paligjshëm dhe 21 trafikantë u vunë nën pranga, ndërsa u sekuestruan 199.56 gramë lëndë narkotike. Kontrollet u zhvilluan në pika kufitare si Mertzani, Kristallopigi dhe Kakavia, si dhe në zonat Atikë, Selanik, Kilkis, Ftiotidë, Traki dhe Seres.

Operacioni përfshiu një bashkëpunim masiv midis vendeve anëtare të BE-së si Austria, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Franca, Gjermania, Holanda, Italia, Letonia, Lituania, Polonia, Portugalia, Rumania, Spanja dhe Suedia, si dhe vende jo-anëtare si Shqipëria, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Zvicra.

Europol dhe autoritetet ndërkombëtare theksojnë se operacioni synon të godasë rrjetet kriminale transnacionale dhe të parandalojë trafikun e makinave dhe emigrantëve në Europë.

Reklame