Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë të huaj, Rama i cilësoi këto akuza si të pavërteta dhe “neveritëse”, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për shitje të pronës publike, por për marrëdhënie private mes pronarëve dhe investitorëve.
Sipas kreut të qeverisë, po krijohet qëllimisht një perceptim i rremë sikur Shqipëria po nxjerr në shitje ishujt e saj, ndërsa theksoi se deri më tani nuk ekziston asnjë leje ndërtimi për projektet që po diskutohen.
“Po të ishte e vërtetë që qeveria po shiste një ishull, edhe mua do të më neveriste. Por pyetja është: a është e vërtetë? Jo. Ka një shprehje interesi dhe një marrëveshje private mbi një pronë private. Kjo nuk do të thotë se ka një projekt të miratuar apo një leje ndërtimi”, deklaroi Rama.
Kryeministri sqaroi gjithashtu se projekti në Zvërnec dhe ai që lidhet me ishullin janë dy iniciativa të ndryshme dhe jo i njëjti projekt, siç pretendohet në një pjesë të debatit publik.
“Zvërneci dhe ishulli janë dy projekte të ndryshme. Gjatë gjithë kohës po krijohet një narrativë që e paraqet Shqipërinë si një vend ku ishujt u shiten oligarkëve. Nëse do të ishte e vërtetë, do të ishte e papranueshme. Por nuk është e vërtetë”, tha ai.
Rama mbrojti gjithashtu të drejtën e pronarëve privatë për të negociuar dhe paraqitur projekte zhvillimi, duke theksuar se shteti funksionon mbi bazën e ligjit dhe procedurave europiane.
Sipas tij, investitorëve u janë vendosur kushte dhe kufizime të qarta që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, densitetin e ndërtimeve dhe respektimin e legjislacionit shqiptar.
Në fund, kryeministri tha se është i gatshëm të paraqesë çdo dokument dhe procedurë të ndjekur për projektet në fjalë, duke akuzuar kundërshtarët se po përhapin informacione të pavërteta që nuk kanë më lidhje me debatin mjedisor.














