Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet parlamentare, duke bërë njëkohësisht thirrje për bashkëpunim politik dhe kompromis mes forcave politike në vend.
Në një postim në platformën X, Kos vlerësoi procesin zgjedhor në Kosovë, duke e cilësuar atë të qetë, gjithëpërfshirës dhe të rregullt.
“Urime @albinkurti për fitoren e zgjedhjeve në Kosovë dhe, më e rëndësishmja, për procesin e qetë, gjithëpërfshirës dhe të rregullt të votimit. Që Kosova të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së, forcat politike tani duhet të bashkohen dhe të gjejnë kompromise për të ndërtuar stabilitet institucional”, shkroi Kos.
Ajo theksoi se stabiliteti institucional mbetet një kusht i rëndësishëm për avancimin e Kosova drejt integrimit evropian, ndërsa shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me institucionet kosovare.
Komisionerja evropiane bëri të ditur gjithashtu se pret të vizitojë Kosovën së shpejti për të përshpejtuar punën në procesin e integrimit në Bashkimi Evropian dhe për të vijuar angazhimin lidhur me financimin në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Mesazhi i Marta Kos vjen pas publikimit të rezultateve paraprake të zgjedhjeve, ku Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë politike në vend, duke siguruar epërsi të qartë ndaj partive të tjera konkurruese.















