Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë, pas publikimit të videove ku shfaqen duke tejkaluar detyrën dhe parimin e proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në protestë. Për të dy efektivët ka nisur edhe hetimi disiplinor.
Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, menjëherë pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale.
Sipas njoftimit zyrtar, punonjësit e pezulluar janë inspektorët me inicialet E. P. dhe T. Ç., të cilët shërbenin në Patrullën e Përgjithshme, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.
Krahas pezullimit, Drejtoria e Standardeve Profesionale është urdhëruar të nisë menjëherë hetimin disiplinor për dy efektivët, për të shqyrtuar veprimet e tyre gjatë ndërhyrjes.
Në reagimin e saj, Policia e Shtetit deklaron se nuk do të tolerojë raste dhune apo tejkalimi të detyrës nga punonjësit e saj.
“Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Pezullimi i dy efektivëve vjen pas pamjeve të publikuara nga protesta në Tiranë, të cilat kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e ndërhyrjes së policisë dhe respektimin e parimit të proporcionalitetit gjatë përdorimit të forcës.
Lexo edhe
Protestuesit mblidhet para Kryeministrisë, thirrje kundër Ramës dhe policisë: “Jep dorëheqjen!”













