Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër nga salla e Kuvendit, duke i kërkuar mazhorancës që të anulojë protestën e paralajmëruar për nesër në Vlorë, të cilën ai e cilësoi si “antimiting”.
Sipas Berishës, tubimi i organizuar në jug të vendit dhe përfshirja e administratës publike përbën, siç u shpreh ai, një akt presioni ndaj qytetarëve dhe një veprim që cenon lirinë e tyre.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë seancë… Jam këtu për të denoncuar me forcën më të madhe vendimin për të organizuar nesër në Vlorë anti-mitingun e turpshëm të historisë,” u shpreh Berisha.
Ai pretendoi se në këtë aktivitet janë thirrur punonjës të administratës nga disa qarqe të jugut, duke e cilësuar këtë si një akt të papranueshëm.
“Ju paralajmëroj se në mënyrë absolute anti-mitingjet tuaja nuk do tolerohen… A ka akt më të turpshëm se të marrësh nëpunësit dhe t’i nxjerrësh në anti-miting ndaj protestës qytetare?” deklaroi ai.
Berisha e përshkroi ngjarjen si një veprim përçarës dhe, sipas tij, një “akt lufte ndaj qytetarëve”, duke i bërë thirrje qeverisë të tërhiqet.
“Hiqni dorë! Anullojeni! Mos e provoni,” tha ai në fjalën e tij në Kuvend.
Deklaratat e kreut të PD-së pritet të sjellin reagime nga mazhoranca, ndërsa aktiviteti i paralajmëruar në Vlorë vijon të jetë në qendër të debatit politik.















