Komisioni i Etikes ka marrë vendimin për ta përjashtuar Gazment Bardhin dhe Klevis Balliun me 60 ditë. Vendimi u mor pas incidenteve në parlament, gjatë votimit të reformës territoriale.
Pas vendimit, ka ardhur edhe reagimi nga ana e Balliut. Ai shprehet se është absurde, që goditje me vezë të cilësohet si një akt dhune. Balliu thekson se çdo vendim vjen me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë për mediat, Balliu ironizoi arsyetimin për përdorimin e vezëve gjatë incidentit në Kuvend, duke thënë se ato nuk mund të konsiderohen lëndë piroteknike. Sipas tij, masa ndaj dy deputetëve synon të pengojë debatin parlamentar dhe reagimin e opozitës.
Klevis Balliu: Në rregulloren e parlamentit që të përjashton deputetët për dy muaj. E dyta, është hera e parë në historinë e botës që morëm vesh që veza qenka lëndë piroteknike. Unë e dija që e bënte pula. Nuk e dija që qenka lëndë piroteknike. Sipas rregullores, mund të përjashtohesh kaq në qoftë se ti përdor lëndë piroteknike. Veza nuk është lëndë piroteknike në mendimin tim, po ne mund të jemi gabim se sa të rrosh do mësosh. Sipas udhëzimeve, të atyre dy të tjerëve që ka aty, Ballës dhe atë tjetrit, qenka lëndë piroteknike. Kjo ka vetëm një qëllim, të godasë grupin parlamentar të Partisë Demokratike, të godasë debatin në parlament, të godasë reagimin e drejtë që kemi ne pasi sulmohemi, se siç e keni parë, ju jeni media vetë, që shishja e parë vjen nga pala e grupit të Partisë Socialiste, që godasin kryetarin e grupit parlamentar, zotin Gazment Bardhi. Dhe është video publike. Shishja e parë lëshohet nga Partia Socialiste.
Dhe nuk keni asnjë, asnjë njeri aty nga PS-ja që të merret masë ndaj tij. Dhe kur reagojmë ne pastaj, ajo është problem. Dhe kërkohet përjashtimi me dy muaj. Në cilin vend të botës ndodh që përjashtohet një deputet me dy muaj? Ishim akuzuar se kemi ofenduar Niko Peleshin. Pyeteni Niko Peleshin çfarë e kemi ofenduar, se s’ia merr fare mendja atij se s’di që ishte aty. Ministrat e tjerë, as i njoh kush janë ata ministrat e tjerë, se në qoftë se ka vërtetuar ndonjë gjë ai votimi aty është ajo që kemi thënë ne prej kohësh, që këtu nuk ka as deputetë, as ministra, aty është Edi Rama dhe kaq. Minimalisht të na kursenin idiotësirat dhe të thonë të vërtetën që na kanë urdhëruar që ne t’ju përjashtojmë dy muaj, sepse ju goditët me vezë lartmadhëninë e tij. Kjo është e vetmja arsye. Po të arrish sa të nxjerrësh lëndë piroteknike vezën, kjo është kulmi.
Pa diskutim që do ta ankimojmë dhe dua t’ju kujtoj këtu që ne kemi pasur disa procese gjyqësore në lidhje me këtë çështje dhe janë fituar të gjitha, se nuk i njeh ligji këto. Kemi pasur edhe një vendim të gjykatës, e quajtën dhe akt dhune, kemi pasur edhe një vendim të gjykatës që nuk e quan vezën akt dhune dhe u shpall arrestimi i protestuesit i jashtëligjshëm. Tani këtu brenda na del me një vendim tjetër vetë parlamenti. Pra institucioni që bën ligjet, nuk i respekton ligjet e veta, edhe pas vendimeve të gjykatës. Për pjesët e tjera teknike do t’ju lutesha që të dëgjonit të dy anëtarët tonë të komisionit të etikës që i dinë edhe më mirë se sa unë dhe i shpjegojnë më mirë se sa unë.
Lexo edhe
Korreshi shpërthen pas përjashtimit të Bardhit dhe Balliut: “Vendim i paracaktuar nga Edi Rama”
Horoskopi e hënë, 12 tetor 2026. Parashikimi i yjeve për secilën shenjë














