Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur paraditen e sotme në ambientet e SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje”, të vendosur ndaj tij.
Menjëherë pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Berisha ka dhënë një prononcim për mediat, ku u ndal jo vetëm te çështja për të cilën është thirrur, por edhe te ajo që ai e cilësoi si “pamje” të vërejtura gjatë qëndrimit të tij të shkurtër brenda SPAK.
Sipas Berishës, aktualisht nuk mund të ketë asnjë çështje tjetër përveç, siç u shpreh ai, “vendimit të famshëm të KLGJ-së”. Megjithatë, vëmendjen e deklaratës e morën akuzat dhe insinuatat që ai ngriti publikisht.
“Ju prisni me padurim t’u rrëfej se çfarë pashë brenda gjatë këtij kalimi të shkurtër. Aty ishte Altin Troplini, i cili ishte ulur me tre personazhe dhe Irenën me pesë mbiemra, sepse si avokat i tyre po u bënte shpjegime për çështjet”, deklaroi Berisha.
Më tej, kreu i PD-së shkoi edhe më larg në akuzat e tij, duke përmendur emra konkretë dhe situata që, sipas tij, i ka parë personalisht brenda ambienteve të SPAK.
“Së dyti, ndodhej ish-xhelati i Sigurimit të Shtetit, Kraja, i cili po numëronte para me Oltion Bistrin. Po, po, se e shoh që e dëgjoni me skepticizëm. Por aty ishin të dy. Këto ishin ato që pashë unë sot”, u shpreh Berisha.
Deklaratat e Berishës pritet të shkaktojnë reagime dhe polemika, ndërsa SPAK deri më tani nuk ka reaguar lidhur me pretendimet e bëra nga ish-kryeministri. Paraqitja e tij në Prokurorinë e Posaçme vjen në një klimë të tensionuar politike dhe institucionale, me hetimet ndaj figurave të larta publike që vijojnë të jenë në fokus të opinionit publik.














