Dy punonjës policie, 20 dhe 23 vjeç, me gradën inspektor dhe pjesë e Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit Nr. 4 në Tiranë, janë arrestuar në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Sipas AMP-së, dy efektivët dyshohet se i kanë kërkuar dhe marrë një qytetari shumën prej 20 mijë lekësh, në këmbim të mosndëshkimit për një shkelje rrugore.
Hetimi është zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas kallëzimit të bërë nga qytetari.
Dy punonjësit dyshohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë.
AMP deklaron se do të vijojë veprimet kundër korrupsionit dhe shkeljeve të ligjit nga punonjësit e strukturave policore.
Deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata, dy punonjësit prezumohen të pafajshëm.
Lexo edhe
Parashikimi i motit 13 tetor 2026, i paqëndrueshëm me kthjellime dhe vranësira
Horoskopi 13 tetor 2026. Parashikimi i yjeve për secilën shenjë














