Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm zonën pranë Gjykatës Civile në Tiranë, ku një sasi e dyshuar lënde plasëse ishte vendosur në një automjet tip “Benz”.
Mjeti, i cili ishte i parkuar në rrugën “Nikolla Lena”, rezulton në pronësi të Nexhi Beqirit, bashkëshortes së avokatit Idajet Beqiri, e cila ushtron gjithashtu profesionin e avokates.
Nga shpërthimi, automjeti ka pësuar dëme të konsiderueshme, kryesisht në pjesën e pasme. Sipas informacioneve paraprake, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale.
Idajet Beqiri ndodhej jashtë vendit
Në momentin e ngjarjes, avokati Idajet Beqiri nuk ndodhej në Shqipëri. Sipas informacioneve paraprake, ai kishte qenë në Bruksel dhe pritej të mbërrinte mbrëmjen e kaluar në Tiranë, por fluturimi i tij ishte anuluar.
Deri tani nuk ka një informacion zyrtar që të përcaktojë motivin e shpërthimit apo nëse ngjarja lidhet me aktivitetin e tij profesional.
Policia heton, priten pamjet e kamerave të sigurisë
Policia ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:15, kur një sasi lënde e dyshuar plasëse shpërtheu në automjetin në pronësi të shtetases N. B.
“Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, si dhe për të identifikuar dhe kapur autorin ose autorët. Në kuadër të hetimeve pritet të këqyren edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.
Për momentin, mbeten të paqarta mënyra se si është vendosur lënda plasëse dhe motivet e mundshme të sulmit. Nuk përjashtohet asnjë pistë hetimore, por deri në sqarimin zyrtar të rrethanave nuk mund të thuhet nëse shpërthimi ka lidhje me profesionin apo denoncimet e avokatit Idajet Beqiri.
Lexo edhe
Aksion i SPAK dhe Policisë së Shtetit, 5 urdhër-arreste për kontrabandë emigrantësh
Shpërthen një makinë e parkuar te Myslym Shyri, ende nuk dihet shkaku














