Advertisement

Një ngjarje tejet shqetësuese është regjistruar në aksin rrugor Laç–Patok, ku një 48-vjeçar ka sfiduar hapur ligjin dhe ka rrezikuar sigurinë e ish-bashkëshortes së tij, pavarësisht se ajo ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Sipas Policisë, shtetasi I. Ll., 48 vjeç, banues në Laç, ka bllokuar qëllimisht lëvizjen e automjetit të ish-bashkëshortes, duke i prerë rrugën me makinën që drejtonte. Përplasja mes mjeteve ka shkaktuar dëme materiale, por incidenti nuk ka përfunduar aty.

Reklame

Pas ndalimit, 48-vjeçari dyshohet se ka sulmuar automjetin e gruas, duke i thyer xhamin me mjet të fortë, në një akt dhune që trondit dhe ngre pikëpyetje serioze mbi respektimin e urdhrave të mbrojtjes dhe sigurinë e grave në Shqipëri.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 1 në Tiranë, bënë të mundur arrestimin e autorit, i cili tashmë ndodhet në pranga.

Policia konfirmon se:“Shtetasi dyshohet se ka bllokuar lëvizjen e automjetit të ish-bashkëshortes së tij, e pajisur me urdhër mbrojtjeje, dhe më pas ka dëmtuar mjetin e saj.”

Rasti rikthen në vëmendje rrezikun real që u kanoset viktimave të dhunës në familje, edhe kur ekzistojnë vendime gjyqësore për mbrojtjen e tyre. Ngjarja pritet të hetohet më tej nga organet kompetente, ndërsa autoritetet theksojnë se shkelja e urdhrave të mbrojtjes do të ndëshkohet pa tolerancë.

Reklame