Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Napoli, ku një debat i zakonshëm familjar është kthyer në një krim fatal. Një 28-vjeçar dyshohet se ka vrarë me thikë motrën e tij 22-vjeçare, pas një konflikti të nisur për shkak të muzikës së lartë në banesë.

Sipas mediave italiane, viktima është Jleina Musella, ndërsa autori i dyshuar është Giuseppe Musella, vëllai i saj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme, brenda shtëpisë ku jetonin.

Reklame

Hetimet paraprake tregojnë se konflikti ka shpërthyer pasi e reja po dëgjonte muzikë me volum të lartë. 28-vjeçari ka deklaruar para hetuesve se nuk po e linte të flinte, çka ka çuar në një përplasje verbale të fortë. Pas debatit, ai dyshohet se ka marrë një thikë nga kuzhina dhe e ka goditur motrën nga pas, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Në një veprim që shton edhe më shumë dramatizmin e ngjarjes, i riu e ka transportuar vetë motrën në spital, por më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 22-vjeçarja nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.

Disa orë më vonë, Giuseppe Musella është vetëdorëzuar në polici, ku ka pranuar autorësinë e krimit. “E vrava motrën time, nuk kisha ndërmend ta vrisja”, mësohet të ketë deklaruar ai para autoriteteve.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Itali, duke rihapur debatin mbi dhunën në familje, shpërthimet e pakontrolluara të agresivitetit dhe tragjeditë që lindin nga konflikte në dukje banale, por me pasoja të pakthyeshme.

Reklame