Advertisement

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën efektivi i forcave “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri.

Përmes një reagimi publik, Lamallari dënoi ashpër sulmin ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, duke e cilësuar atë një akt kriminal kundër rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.

Reklame

“Sot një familje humbi njeriun e saj të dashur, Policia e Shtetit humbi një koleg, Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se autori i ngjarjes do të përballet me drejtësinë dhe nuk do të mund t’i shpëtojë ligjit.

“Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal të rëndë në Maliq, një sulm jo vetëm ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndaj vetë rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Autori do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do të ketë asnjë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë”, deklaroi Lamallari.

Ministri shprehu ngushëllimet për familjen e efektivit të ndjerë Enea Mekolli, duke vlerësuar sakrificën e tij në krye të detyrës.

“Ngushëllime familjes Mekolli, kolegëve dhe të afërmve të Eneas, që sakrifikoi jetën në përmbushje të misionit të tij fisnik. Sakrifica e tij do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje”, tha ai.

Lamallari uroi gjithashtu shërim të shpejtë për efektivin e plagosur Edison Adri, ndërsa nënvizoi se Policia e Shtetit do të vijojë pa u ndalur luftën kundër krimit.

“Policia e Shtetit do të vazhdojë me vendosmëri misionin në mbrojtje të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve. Sakrifica e Enea Mekollit nuk na ndal, por na forcon në betejën kundër krimit”, përfundoi ministri i Brendshëm.

Reklame