Protestuesit e mbledhur këtë të hënë në Tiranë kundër projektit turistik në Zvërnec kanë ndërmarrë një tjetër akt simbolik gjatë tubimit të tyre para Ministrisë së Brendshme.
Qytetarët vendosën tela me gjemba përreth hyrjes së institucionit, në shenjë proteste ndaj asaj që e konsiderojnë si “rrethim” të interesit publik dhe të pasurive natyrore nga interesat private. Veprimi u shoqërua me thirrje kundër projektit të resortit që planifikohet të ndërtohet në zonën e Pishë-Poros dhe Zvërnecit.
Me pankarta ku shkruhej “Shqipëria nuk është në shitje”, protestuesit kërkuan ndalimin e investimit, duke argumentuar se ai rrezikon mjedisin dhe biodiversitetin e zonës.
Pas grumbullimit para Ministrisë së Brendshme, pjesëmarrësit nisën marshimin drejt Kryeministrisë, ku vijuan protestën dhe kërkesat për transparencë mbi projektin.
Kjo është protesta e dytë e organizuar në Tiranë lidhur me investimin në Zvërnec, ndërsa kundërshtime dhe përplasje janë regjistruar edhe në vetë zonën ku parashikohet ndërtimi i resortit. Protestat janë intensifikuar pas incidenteve të fundit mes banorëve, aktivistëve dhe punonjësve të sigurisë private në Zvërnec.













