Java që sapo u mbyll ka qenë mjaft e tensionuar në Institucionin e Shërbimit Informativ të Shtetit, por edhe java që nis nesër duket se nuk do të jetë më e qetë.

Me kthimin e kryeministrit Edi Rama nga SHBA dhe me vendimin e tij për të mos dhënë dorëheqjen, vëmendja politike dhe publike pritet të mbetet e përqendruar te SHISH dhe te zhvillimet që lidhen me këtë institucion.

Reklame

Për këtë arsye, java e re mund të jetë sërish “tym e flakë” për zyrtarët dhe drejtuesit e lartë të SHISH.

Tashmë, brenda institucionit duket se presioni është rritur. Frika për atë që mund të zbulohet nga hetimet ka bërë që të dalin në sipërfaqe edhe emra, takime dhe vende që më parë nuk janë përmendur publikisht.

Punonjës të SHISH që nuk kanë qenë pjesë e rrethit të ngushtë të Vlorës Hyseni, Jurgen Kolës apo personave të tjerë që po përmenden në këtë çështje, kanë nisur të flasin për ato që kanë parë, kanë dëgjuar apo kanë ditur.

Hyseni, Kola dhe “Equos Resort”

Një nga vendet që po përmendet në këtë histori është “Equos Resort”, në periferi të Tiranës.

Emrat e Vlorës Hyseni dhe Jurgen Kolës po dalin në pyetjet që lidhen me takimet, lëvizjet dhe kontaktet që mund të kenë pasur persona të ndryshëm të strukturave të sigurisë.

Në fakt, “Equos Resort” tashmë është pjesë e raportimeve mbi hetimin e SPAK. Sipas raportimeve mediatike, në ambientet e resortit u sekuestrua automjeti i Ergys Agasit dhe në të u gjetën nëntë faqe me të dhëna që, sipas hetimit, ngjasonin me materiale të prodhuara nga SHISH.

Kjo e bën edhe më të rëndësishme pyetjen: Kush shkonin në këtë resort, me kë takoheshin dhe për çfarë arsye?

Pyetjet që po qarkullojnë në SHISH

Një prej pyetjeve që kërkon përgjigje lidhet me drejtuesit e SHISH që mund të kenë pasur kontakte me personat tashmë në fokus të hetimit.

Kush janë drejtuesit që shkonin më shpesh në këto ambiente?

Cili ishte roli i Ilir Prodës dhe cilat kanë qenë takimet e tij me Vlorën Hyseni dhe Jurgen Kolën?

Çfarë informacioni është diskutuar në këto takime dhe ku përfundonte ai informacion?

Kush janë drejtuesit e tjerë që mund të kenë marrë udhëzime nga Vlora Hyseni apo persona të tjerë të përmendur në këtë dosje?

Dhe pyetja më e madhe: Për llogari të kujt është administruar dhe përcjellë informacioni?

Për këto pyetje, deri tani nuk ka përgjigje publike të plota. Ato mund të marrin përgjigje vetëm përmes dokumenteve, dëshmive dhe provave të administruara nga hetimi.

A duhet të shkojë hetimi më thellë?

SPAK tashmë ka ndërmarrë veprime ndaj Vlorës Hyseni dhe ka kryer kontrolle edhe në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Ndërkohë, pretendimet publike për rolin e Jurgen Kolës dhe për takime në ambiente të caktuara janë pjesë e debatit që ka shpërthyer rreth dosjes.

Tani mbetet për t’u parë nëse hetimi do të ndalet te personat që tashmë janë në fokus apo nëse do të ndjekë të gjithë zinxhirin: nga informacioni që prodhohej brenda SHISH, te personat që e merrnin, takimet ku diskutohej dhe destinacioni përfundimtar i këtij informacioni.

Java që nis nesër mund të sjellë të tjera emra, të tjera dëshmi dhe, mbi të gjitha, të tjera pyetje.

Në SHISH, tymi duket se ende nuk është larguar. Tani mbetet për t’u parë se ku do të çojë flaka.

Lexo edhe:

“A u përdorën agjentët e SHISH për Agasin?” Çfarë roli kishte në operacionet e SHISH Jurgen Kole, krahu i djathtë i Vlora Hysenit? A po e heton SPAK?

Furtunë në SHISH. Pas Vlora Hysenit në dyert e SPAK edhe Elvis Lila e Jurgen Kole

Reklame