Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestave kundër projektit turistik në Zvërnec, duke deklaruar se zona mbetet e mbrojtur dhe se pretendimet për shkatërrimin e biodiversitetit nuk qëndrojnë.
Gjatë një aktiviteti në Berat, në kuadër të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, Rama komentoi protestën e zhvilluar në Tiranë nga qytetarë dhe aktivistë që kundërshtojnë investimin e planifikuar në zonën e Pishë-Poros dhe Zvërnecit.
“Ka një protestë në Tiranë për të mbrojtur natyrën. Po kush e ka kërcënuar natyrën? Kush e ka vënë në rrezik biodiversitetin? Zvërneci ka qenë zonë e mbrojtur e kategorisë 5, kështu është sot dhe kështu do të jetë edhe nesër”, deklaroi kreu i qeverisë.
Rama theksoi se debati nuk duhet të fokusohet te pretendimet për heqjen e statusit të mbrojtur të zonës, pasi sipas tij kjo nuk ka ndodhur, por te modeli i zhvillimit ekonomik që do të ndjekë Shqipëria në vitet e ardhshme.
Sipas kryeministrit, vendi ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit turistik, ku synohet tërheqja e turizmit elitar dhe investimeve strategjike me vlerë të lartë.
“Investime si ky i Zvërnecit janë investime që do t’i donte çdo vend. Ato mobilizojnë gjithë ekonominë përreth, nga bujqësia dhe blegtoria te transporti dhe shërbimet. Pa nisur ende investimi, vlera e pronave në zonë është rritur katër herë”, u shpreh Rama.
Kryeministri hodhi poshtë edhe pretendimet që qarkullojnë në rrjetet sociale se zona i është shitur investitorëve izraelitë, duke sqaruar se bëhet fjalë për një investim privat nga sipërmarrës nga Katari.
“Bie pre e manipulimeve kush beson se Zvërneci i është shitur Izraelit. Janë teori të rreme që synojnë të krijojnë konfuzion në opinionin publik”, tha ai.
Rama shtoi se aktualisht projekti arkitektonik nuk ka përfunduar ende dhe se paralelisht po kryhen studimet mjedisore të nevojshme, të cilat sipas tij janë kusht për çdo leje të mëtejshme zhvillimi.
Duke komentuar incidentet e regjistruara në Zvërnec mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private, kreu i qeverisë i cilësoi ato të papranueshme, duke kujtuar se personat e përfshirë janë proceduar dhe se kompanisë së sigurisë i është hequr licenca.














