Advertisement

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor institucionet shtetërore dhe administratën kundër protestave që po zhvillohen në vend.

Në një deklaratë të tij, Berisha e cilësoi protestën si një nga lëvizjet më të fuqishme qytetare dhe rinore që ka njohur Shqipëria që nga vitet ’90.

Reklame

Ai kritikoi qëndrimin e qeverisë dhe të disa mediave ndaj protestuesve, duke e cilësuar atë si një tregues të karakterit, sipas tij, autoritar të qeverisjes.

“Qëndrimi i Edi Ramës dhe puthadorëve të tij në media, por edhe qindra e mijëra patronazhistëve terroristë politikë ndaj protestuesve paqësore është një nga aktet më të rënda, më kriminale në historinë e këtij vendi”, u shpreh Berisha.

Më tej, kreu i PD-së akuzoi qeverinë se po angazhon struktura shtetërore për të ndikuar ndaj protestës dhe perceptimit publik mbi të.

Sipas Berishës, përveç Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ të Shtetit, në këtë proces po përdoren edhe punonjës të administratës publike përmes rrjeteve sociale.

“Edi Rama, përveç angazhimit total të policisë kriminale, që është më kriminale se çdo bandë tjetër, të shërbimit informativ kombëtar, që bashkërendon të gjitha praktikat me Beogradin, ka mobilizuar mijëra rrogëtarë, punonjës të administratës shtetërore në krijimin e llogarive false në mediat sociale”, deklaroi ai.

Berisha pretendoi gjithashtu se këto llogari synojnë të ndikojnë në perceptimin e publikut për protestën, të ulin shikueshmërinë e përmbajtjeve të protestuesve dhe të ndikojnë në algoritmet e rrjeteve sociale.

Në përfundim, Berisha tha se qeveria po bën gjithçka për të penguar protestën, e cila, sipas tij, ka ekspozuar atë që e cilësoi si “fytyrën e vërtetë” të kryeministrit Edi Rama.

Berisha: Rama i transportoi paratë me avionin privat, do rikthejmë kërkesën për komision hetimor

Reklame