Strategjia është e qartë: ta gjunjëzojnë Riadin, ta godasin aty ku i dhemb më shumë, në zemër të lidhjeve të tij ndërkombëtare dhe të marrëdhënieve të biznesit. Huthët e Jemenit kanë sulmuar sërish aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit saudit, King Khalid, rreth drekës. Mbetjet e një rakete balistike kanë shkatërruar një pjesë të terminalit 3, duke shkaktuar 12 viktima, sipas Autoritetit Saudit të Aviacionit Civil, dhe duke plagosur mbi 300 persona. Ky është sulmi më i rëndë i kryer deri më tani nga milicitë proiraniane kundër objektivave civile në mbretëri.
Pamjet e regjistruara nga udhëtarët, të cilat kanë anashkaluar kontrollin e rreptë mediatik që zbatohet në mbretëri, tregojnë seriozitetin e situatës për monarkinë e drejtuar nga Mohammed Bin Salman: ambulanca që lëvizin pa pushim në pistat e aeroportit, pasagjerë që largohen me vrap dhe njolla gjaku në dyshemenë e aeroportit. Aeroporti është mbyllur përkohësisht dhe pasagjerët janë evakuuar. Ambasadat perëndimore, përfshirë ato italiane, britanike, amerikane dhe gjermane, u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të mos shkojnë në aeroport, përveç rasteve kur është absolutisht e nevojshme.
Lufta mes sauditëve dhe partizanëve të Zotit, milicive proiraniane në Jemen, është kthyer në frontin më të nxehtë të konfliktit rajonal mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara dhe mund t’i shtyjë amerikanët të ndërhyjnë drejtpërdrejt.
Sulmi ndaj Arabisë Saudite është “i tmerrshëm” dhe ajo që ndodhi “nuk është e pranueshme”, tha Donald Trump duke theksuar se ka komunikime me huthët. I pyetur nga gazetarët për mundësinë e përfshirjes së SHBA-ve, presidenti tha: “Sapo kemi marrë vesh për sulmin e fundit. Do të marrim një vendim.”
Deri më tani, presidenti amerikan u ka rezistuar presioneve të aleatit dhe mikut të tij, Mohammed Bin Salman, i cili i ka kërkuar mbështetje të drejtpërdrejtë. Por përshkallëzimi i sulmeve kundër aeroportit, i cili është goditur tashmë tri herë brenda një jave, vjen në një moment të veçantë. Nga sot deri të enjten, në Riad pritet të mbahet Kongresi Botëror i Naftës (World Petroleum Congress), ku do të marrin pjesë drejtues dhe sipërmarrës të industrisë së naftës, si dhe politikanë nga e gjithë bota. Autoritetet e mbretërisë kanë njoftuar se aktiviteti do të zhvillohet sipas planit, por tashmë kanë filluar të shfaqen tërheqjet e para nga pjesëmarrja. Mes tyre është edhe ministri italian i Energjisë, Gilberto Pichetto Fratin, i cili ka njoftuar se do të marrë pjesë vetëm përmes videokonferencës.
Në fund të muajit është planifikuar një tjetër aktivitet i rëndësishëm ndërkombëtar, Future Investment Initiative, i pagëzuar me emrin “Davosi i shkretëtirës” sepse prej dhjetë vitesh shërben si kartëvizitë e një monarkie që dëshiron të paraqitet si qendër e biznesit, inovacionit dhe zhvillimit teknologjik. Tani ajo rrezikon të shohë të dështojë tranzicionin e saj drejt një ekonomie pas naftës.
Veprimi i huthëve vjen pas zhvillimeve në terren. Dhjetë ditë më parë, sauditët nisën një kundërsulm, e cila u përqendrua në bregdet, ku milicitë aleate kanë rimarrë pjesërisht ishullin Perim, si dhe në hapësirën ajrore. Bombardimet kanë qenë të shumta, përfshirë edhe ato kundër kryeqytetit Sana, i cili kontrollohet nga huthët. Mohammed al-Bukhaiti, një zyrtar i lartë i lëvizjes Huthi, ka deklaruar se sulmi kundër aeroportit është një hakmarrje për goditjet ajrore saudite që kanë shënjestruar infrastrukturën civile në Jemen dhe kanë shkaktuar dhjetëra viktima.
Objektivi i sulmit, shpjegoi ai, është që “bota të kuptojë se aeroportet, portet, sallat e dasmave dhe të ceremonive mortore, spitalet dhe tregjet në Jemen janë struktura civile që nuk duhet të shënjestrohen apo të dëmtohen, dhe se të njëjtat rregulla që zbatohen për këto struktura në Jemen duhet të vlejnë edhe për strukturat përkatëse kudo tjetër në botë.”
Lexo edhe;
Irani: Presim përgjigjen përfundimtare të SHBA-së për rihapjen e Hormuzit
Rikthehet në SHBA një nga sëmundjet infektive më vdekjeprurëse














