Për të 37-ën ditë radhazi, qytetarë janë mbledhur në qendër të Tiranës në vijim të protestave që zhvillohen çdo mbrëmje në kryeqytet.
Tubimi nisi në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku po mbahen fjalime nga aktivistë dhe pjesëmarrës në protestë.
Fillimisht, lëvizja qytetare u organizua si kundërshtim ndaj projektit të investimit prej 4 miliardë dollarësh në Zvërnec, me protestuesit që kërkonin transparencë nga qeveria lidhur me projektin dhe administrimin e pronës publike.
Gjatë javëve të fundit, protestat janë shoqëruar edhe me incidente, përfshirë përplasjet pranë Kuvendit, të cilat çuan në arrestimin e disa protestuesve.
Edhe në protestën e kësaj mbrëmjeje, pjesëmarrësit kanë përsëritur kërkesat e tyre politike, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si edhe largimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Protesta vijon nën monitorimin e forcave të Policisë, ndërsa deri më tani nuk raportohen incidente.
Çfarë mund të prodhojnë protestat qytetare? Si ndikojnë në politikë dhe shoqëri














