Kryeministri Edi Rama ka publikuar sërish pamje nga ftesa e tij për dialog ndaj protestuesve, por këtë herë skena para Kryeministrisë ka ndryshuar: në qendër është vendosur vetëm një sofër prej guri, mbi të cilën janë lënë letra me fjalën “Dialog”, pa karriget që shoqëronin ftesat e mëparshme.
Ndryshimi bie në sy pas disa ditësh përpjekjesh simbolike të kryeministrit për të ftuar studentët dhe të rinjtë në bisedime, ndërsa protestuesit kanë vijuar të kundërshtojnë qeverinë dhe të kërkojnë largimin e Ramës.
Në ditët e mëparshme, kryeministri kishte vendosur karrige dhe ulëse prej guri para godinës së Kryeministrisë, si simbol të gatishmërisë për dialog. Disa prej tyre u rrëzuan ose u dëmtuan nga protestuesit gjatë tubimeve të fundit.
Këtë herë, mungesa e karrigeve sjell një tjetër pamje simbolike. A është thjesht një ndryshim i mënyrës së paraqitjes së ftesës apo një mesazh në kushtet kur përplasja mes qeverisë dhe protestuesve vijon? Kjo mbetet e hapur për interpretim.
Rama ka përsëritur publikisht se është i gatshëm të zhvillojë bisedime me ata që besojnë te dialogu, ndërsa protestuesit deri tani e kanë refuzuar ftesën e tij.
Mes fjalës “Dialog” të vendosur mbi gurë dhe mungesës së vendeve për t’u ulur, mbetet e paqartë nëse palët do të gjejnë një rrugë për bisedime, apo distanca mes tyre do të vazhdojë të thellohet.
Lexo edhe
Karrige të reja, ftesa e njëjtë ! Rama këmbëngul për dialog me protestuesit
Digjen karriget e Ramës para Kryeministrisë, protestuesit refuzojnë sërish dialogun













