Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka hapur zyrtarisht konkursin për pozicionin e Zëvendësdrejtorit, një funksion drejtues që, sipas rregullores, u dedikohet ekskluzivisht hetuesve brenda vetë institucionit.
Sipas njoftimit zyrtar, Zëvendësdrejtori i ri do të ketë përgjegjësi kyçe në funksionimin e Shërbimeve të Policisë Gjyqësore, menaxhimin e burimeve njerëzore, si dhe mbikëqyrjen e punës së personelit në rastet e mungesës ose pamundësisë së ushtrimit të detyrës nga Drejtori i BKH-së.
Kandidatët që synojnë këtë pozicion duhet të jenë hetues aktivë të BKH-së, të mos kenë masa disiplinore në fuqi dhe të disponojnë minimumi tre vite përvojë profesionale në hetimin e korrupsionit, krimit të organizuar ose krimeve të rënda. Po ashtu, kërkohen aftësi të spikatura drejtuese, integritet i lartë profesional dhe etik, si dhe përkushtim ndaj standardeve të hetimit penal. Njohja e gjuhës angleze vlerësohet si avantazh gjatë procesit të përzgjedhjes.
Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit është 22 janar 2026. Dosja e aplikimit duhet të përfshijë kërkesën për aplikim, jetëshkrimin profesional, vlerësimin e fundit të performancës dhe, nëse disponohet, certifikatën e njohjes së gjuhës angleze. Aplikimet dorëzohen fizikisht pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore të BKH-së.
Procesi i përzgjedhjes do të realizohet nga Drejtori i BKH-së në bashkëpunim me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, duke u bazuar në dokumentacionin e paraqitur, performancën profesionale të kandidatëve dhe përputhshmërinë me kriteret ligjore dhe institucionale. Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen zyrtarisht nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Dokumentacionit.
Sipas BKH-së, ky proces synon të forcojë strukturën drejtuese të institucionit dhe të rrisë efektivitetin e hetimeve, në një kohë kur lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet prioritet kombëtar.














