Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Bajram Currit, ku një nxënës i shkollës 9-vjeçare ka mbetur i plagosur dje në mesditë pranë ambientit të shkollës së tij.

Sipas dëshmive, nxënësi po luante me topin në oborrin e shkollës kur ai ra pranë kantierit të ndërtimit për rikonstruksionin e ish-shkollës së vjetër “Bajram Curri”, e cila po kthehet në shkollë profesionale. Në momentin që nxënësi tentoi të merrte topin, materiale inerte të hedhura në kantier ranë mbi të, duke shkaktuar plagë dhe frikë te të pranishmit.

Reklame

Nxënësi u dërgua menjëherë nga mësuesit dhe shokët e klasës në urgjencën e spitalit të Kukësit dhe më pas në Spitalin e Traumës për trajtim më të specializuar.

Burimet në vendngjarje tregojnë se në zonën e punimeve mungonin masat minimale të sigurisë teknike. Pas ngjarjes, kantieri u izolua plotësisht dhe Inspektoriati i Punës ndërhyri duke bllokuar punimet dhe vendosur shiritat e sigurisë.
Një zyrtar i Inspektoriatit tha: “Këto kushte nuk garantonin asnjë masë mbrojtëse për fëmijët dhe punonjësit e kantierit.”

Megjithëse ngjarja ndodhi dje, Policia e Kukësit ende nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar, ndërkohë që hetimet pritet të nisin menjëherë për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë.

Reklame