Advertisement

Banorëve që preken drejtpërdrejt nga projekti TID në Durrës u është mundësuar një takim me kryeministrin Edi Rama. Bëhet fjalë për rreth 74 familje që do të shpronësohen në kuadër të rijetëzimit të bulevardit historik “Epidamn”, ku secila familje është përfaqësuar me nga një përfaqësues në mbledhjen e zhvilluar sot.

Kryeministri mbërriti paraditen e sotme në Bashkinë e Durrësit, ku zhvilloi takimin me banorët. Mbledhja u zhvillua pa praninë e mediave dhe zgjati rreth dy orë.

Reklame

Pas përfundimit të takimit, Rama deklaroi se është arritur një dakordësi për mënyrën se si do të vijojë procesi. Ai bëri të ditur se do të kryhet një verifikim i disa objekteve që pretendohet se mbartin vlera të trashëgimisë kulturore, si dhe do të rishikohet statusi i disa banesave që nuk disponojnë regjistrim në hipotekë.

Sipas kreut të qeverisë, projekti nuk do të ndalet, por do të bëhet një rivlerësim i referencave për çmimin e dëmshpërblimit të pronave. “Me 34 qytetarë përfaqësues të familjeve kemi folur rreth 2 orë. Biseda ka qenë konstruktive, me opinione të ndryshme. Sa i përket problemit të vërtetë, kemi rënë dakord se si do të shkojmë përpara, qoftë me verifikimin për objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore, qoftë me çështjen e çmimit, ku do të shohim referencat e reja”, u shpreh Rama.

Duke iu referuar protestës së disa ditëve më parë para Bashkisë së Durrësit, ku pati përplasje me policinë dhe përfaqësues vendorë, Rama akuzoi një grup personash se po krijojnë tensione për motive politike. Në mesin e përplasjeve të 10 shkurtit ndodhej edhe aktivisti i PD-së, Orest Berberi.

Prej disa ditësh, banorët kanë protestuar kundër mënyrës së zbatimit të projektit dhe veçanërisht kundër bonusit të qirasë të parashikuar nga bashkia, një fond prej 315.5 milionë lekësh. Ata janë shprehur se nuk janë kundër zhvillimit të zonës, por kërkojnë garanci për strehim të sigurt dhe dëmshpërblim të drejtë për banesat e tyre.

Reklame