Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të opozitës për të bojkotuar seancën plenare të kësaj të hëne, duke e cilësuar këtë veprim si një favor për kryeministrin Edi Rama.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji shprehet se, në një moment kur sipas tij qeveria po përballet me akuza të rënda dhe protesta qytetare, Parlamenti duhej të ishte vendi ku opozita do të përballej politikisht me mazhorancën.
“Sot Parlamenti duhej të ziente. Duhej të ishte arena ku një qeveri e kalbëzuar dhe e rrënuar moralisht të vihej me shpatulla pas muri. Sot Partia Demokratike duhej t’i jepte zë zemërimit të qytetarëve dhe të rinjve që kanë ngritur dhe po mbajnë në këmbë revoltën më të gjatë popullore të viteve të fundit në Shqipëri”, shkruan Salianji.
Në reagimin e tij, ai akuzon kreun e PD-së, Sali Berisha, se po e pengon Partinë Demokratike të ushtrojë rolin e saj opozitar.
“Interesi personal i Sali Berishës nuk e lejon Partinë Demokratike të marrë frymë, të përmbushë misionin e saj opozitar dhe të përfaqësojë qytetarët”, shprehet ai.
Salianji e cilëson bojkotin e seancës parlamentare si “shërbimin më të madh që mund t’i bëhet Edi Ramës”, duke argumentuar se opozita duhet të ishte e pranishme në Kuvend për të kërkuar llogari ndaj qeverisë.
Në fund të reagimit, ish-deputeti flet për nevojën e një ndryshimi politik, duke pretenduar se qytetarët kërkojnë largimin e asaj që ai e quan “dyshja bashkëqeverisëse Rama–Berisha”.
“Ndryshimi do të vijë, sepse tashmë ortakeria e tyre politike është ekspozuar hapur para syve të shqiptarëve. Ata nuk janë më alternativë kundër njëri-tjetrit, janë garancia e mbijetesës së njëri-tjetrit”, përfundon Salianji.
Salianji sulmon Berishën: Braktisi Kuvendin për t’i hapur rrugë Ramës
“Rama dhe Berisha janë bashkë” – Salianji nxjerr “provën”














