Advertisement

NEW YORK – Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në një mbrëmje gala në New York, ku ka folur për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, Hashim Thaçin, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe rolin e diasporës.

Një nga pjesët më të forta të fjalimit të Ramës ishte ajo që lidhej me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili aktualisht ndodhet në Hagë.

Reklame

Rama tha se mungesa e Thaçit në aktivitet e bënte të ndihej keq dhe deklaroi se, sipas tij, SHBA-ja nuk kishte bërë gjithçka që mund të bënte për ish-presidentin e Kosovës.“Ai është Hashim Thaçi. Ai nuk është me ne sot këtu dhe ai nuk mund të jetë sot këtu sepse ky vend e tradhtoi. Sepse Joe Bideni që emërtoi George Washingtonin e Kosovës e tradhtoi”, tha Rama.

Rama përmendi edhe gjeneralin Wesley Clark, duke e falënderuar për atë që e cilësoi si kontributin e tij personal, ndërsa shprehu keqardhje për situatën e Thaçit.“Ky vend nuk bëri më të mirën për Hashim Thaçin, ‘George Washingtonin e Kosovës’ dhe kjo s’më bën të ndihem mirë”, u shpreh kryeministri.

Rama: Shqipëria ka ndryshuar

Në vijim të fjalës së tij, Rama u ndal te zhvillimi i Shqipërisë gjatë viteve të fundit. Ai përmendi rritjen e turizmit dhe të transportit ajror, duke deklaruar se aeroporti i Tiranës është ndër aeroportet me rritjen më të lartë në Europë.“Kemi aeroportin më të madh në rajon… që është aeroporti me rritjen më të lartë në Europë”, tha Rama.

Kryeministri pranoi se Shqipëria ka ende probleme dhe mangësi, por argumentoi se vendi ka ndryshuar në mënyrë të dukshme.

Ai u ndal veçanërisht te korrupsioni dhe mënyra se si, sipas tij, po funksionon sistemi i drejtësisë.

“Korrupsioni luftohet çdo ditë”

Rama deklaroi se në të kaluarën korrupsioni ishte i pranishëm gjerësisht, ndërsa lufta kundër tij ishte e kufizuar. Sipas tij, sot situata është e ndryshme për shkak të institucioneve të pavarura.“Ka pasur një kohë në Shqipëri ku korrupsioni ishte gjithkund e lufta kundër korrupsionit askund”, tha Rama.

Ai shtoi se sistemi demokratik shqiptar, sipas tij, ka nisur të krijojë mekanizma që e bëjnë më të vështirë shmangien e përgjegjësisë.“Sistemi demokratik i Shqipërisë ka nisur të ndërtojë imunitetin e vet… duke shfaqur çdo ditë faktin që nuk është më ky vendi ku mund të ecësh dorë për dore me korrupsionin pa pasur asnjë pasojë”, deklaroi Rama.

Rama për mjedisin: “Rritëm trefish numrin e shpendëve dhe kafshëve”

Një pjesë tjetër e fjalimit iu kushtua mjedisit dhe biodiversitetit.

Rama përmendi ndalimin e gjuetisë, zgjerimin e zonave të mbrojtura dhe ndalimin e shfrytëzimit të pyjeve. Ai deklaroi se këto masa kanë sjellë, sipas tij, rritje të numrit të shpendëve dhe kafshëve në Shqipëri.“Pasi ndaluam gjuetinë, pasi rritëm zonat e mbrojtura, pasi ndaluam shfrytëzimin e pyjeve, pasi e rritëm trefish numrin e shpendëve dhe kafshëve në vendin tonë… tashmë kemi një ndjesi të re në një Shqipëri të re”, tha kryeministri.

“PBB-ja është 30 miliardë dollarë”

Rama foli edhe për ekonominë, duke deklaruar se Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë ka arritur në rreth 30 miliardë dollarë.

Sipas tij, Shqipëria e ka nisur dekadën me një PBB prej rreth 12 miliardë dollarësh dhe gjatë dhjetë viteve të fundit ajo është rritur rreth 2.5 herë.“Nisëm me 12 miliardë, janë vetëm 10 vjet, është rritur me 2.5 herë dhe do të rritet edhe më shumë”, tha Rama.

Kryeministri përmendi gjithashtu investimet e huaja dhe projekte të mëdha që, sipas tij, janë në proces.

“Shqipëria u përket shqiptarëve”, Rama: Slogani më i neveritshëm

Rama u ndal edhe te debati për investimet e huaja dhe pronësinë e tokës në Shqipëri.

Ai kritikoi sloganin “Shqipëria u përket shqiptarëve”, duke e cilësuar atë si një slogan “të neveritshëm” dhe “të turpshëm”.

Kryeministri argumentoi se shqiptarët vetë kanë emigruar dhe kanë ndërtuar jetë e biznese në vende të tjera.“Në qoftë se do të kishte qenë e njëjta gjë për ato vende ku shkuan shqiptarët e lulëzuan… të gjithë ne nuk do të kishim mundur të bënim asnjë gjë”, tha Rama.

Ai solli si shembull SHBA-në, Italinë dhe Greqinë, duke argumentuar se një parim i tillë do t’i kishte penguar shqiptarët të ndërtonin jetën e tyre jashtë vendit.“Shqipëria i përket Zotit dhe mikut… në shtëpinë e shqiptarit duhet të ketë vend për gjithkënd që bujt e vjen”, deklaroi Rama.

Paralajmërimi për rrjetet sociale

Në pjesën e fundit të fjalimit, Rama foli për ndikimin e rrjeteve sociale te të rinjtë dhe për atë që ai e konsideroi si një kërcënim të ri për shoqëritë demokratike.

Sipas tij, përhapja e manipulimit dhe informacionit të rremë përmes rrjeteve sociale përbën një problem që prek drejtpërdrejt të rinjtë.“Armiqtë e vendeve tona nuk kanë nevojë të na ndjekin pas me raketa: na sulmojnë duke u përzier me trurin e të rinjve tanë çdo orë përmes telefonit celular, përmes medias sociale”, tha Rama.

Megjithatë, ai sqaroi se nuk po kërkonte mbylljen e rrjeteve sociale apo kufizimin e lirisë së shprehjes.“Nuk është se po avokatoj që të përndjekim apo të ndikojmë në lirinë e shprehjes. Ajo për të cilën avokoj sot është që e vërteta kurrë nuk ka qenë më e shpërfillur, më e abuzuar… në emër të manipulimit”, u shpreh kryeministri.

Rama e mbylli fjalimin duke folur për ndarjet brenda shoqërive dhe duke bërë thirrje për një qasje më të bashkuar mes shqiptarëve.

Fjalimi vjen në një moment kur Rama ndodhet në SHBA për angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe pas protestave të zhvilluara nga shqiptarë në New York gjatë vizitës së tij.

Lexo edhe:

Rama pas vezëve në New York: Nuk më ndalin dot në misionin për ta çuar flamurin në majën e Europës

“PËRPLASJE” ME DIASPORËN, Rama pritet me vezë nga protestuesit shqiptarë në Nju Jork

Reklame